Edi Rama paska vendosur të krijojë një Ministri të Administratës Publike, që shqiptarët të kenë më në fund një administratë profesionale, ku njerëzit të bëjnë karrierë sipas meritës. Dhe për të kuptuar se çfarë administrate ka ndërtuar pas 13 vitesh në pushtet, mjafton të shohësh historinë e njërit prej drejtorëve të tij.
Everest Kazheli u emërua më 9 tetor drejtor i Kadastrës së Elbasanit. Qëndroi vetëm tri orë dhe dha dorëheqjen. Por kjo nuk do të thotë se mbeti pa punë. Tri ditë më vonë u emërua drejtor i Hetimit Tatimor.
Kazheli ka drejtuar më parë edhe hipotekat e Fierit dhe Lushnjës. Pra, një karrierë në administrimin e pronave, e cila papritur vazhdon në hetimin e evazionit fiskal. Se çfarë lidhjeje ka përvoja e tij me detyrën e re, çfarë kualifikimesh zotëron dhe si u përzgjodh, mbetet për t’u sqaruar.
Në shtetin që Rama drejton prej 13 vitesh, duket se specializimi më i vlefshëm është të dish të jesh drejtor. Sot në hipotekë, nesër në tatime. Nuk ka rëndësi institucioni, për sa kohë karrigia mbetet e njëjtë.
Dhe pikërisht për këtë administratë, kryeministri ka menduar të krijojë një ministri të re që do të garantojë meritokracinë. Sepse, pasi ke kaluar 13 vjet duke emëruar drejtorë, ndoshta ka ardhur koha të zbulosh edhe çfarë profesioni kanë.






















