Pas miratimit të ndryshimeve në hartën territoriale, që parashikojnë shkrirjen e 15 bashkive, Partia Socialiste kërkon ngritjen e një komisioni të ri parlamentar me mandat 9-mujor për fazën e dytë të reformës administrativo-territoriale. Propozimi ka shkaktuar përplasje në Konferencën e Kryetarëve, ku opozita ka kundërshtuar nismën e mazhorancës.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku akuzoi socialistët se fillimisht vendosën në mënyrë të njëanshme për hartën dhe tani kërkojnë bashkëpunimin e opozitës për pjesën tjetër të reformës.
“Fshini 15 bashki me një të rënë të lapsit. Humbët shansin për konsensus, sepse ju nuk doni reformë, por një hartë elektorale”, deklaroi Tabaku.
Ajo kujtoi se në korrik opozita kishte kërkuar shtyrjen me tre muaj të mandatit të komisionit të mëparshëm, por mazhoranca e kishte refuzuar. Sipas saj, socialistët po rikthejnë tani të njëjtat objektiva që kundërshtuan vetëm tre muaj më parë.
“E keni kthyer Kuvendin në tallje. Kërkesat që keni refuzuar tre muaj më parë i sillni këtu copy-paste dhe kërkoni t’i votoni”, tha Tabaku.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, mbrojti propozimin dhe ftoi demokratët të marrin pjesë në komisionin e ri. Ai argumentoi se edhe në reformën e vitit 2014 fillimisht ishte miratuar harta territoriale dhe më pas ishte punuar për kuadrin ligjor dhe financat vendore.
“Bujrum, hajdeni, mos e lini karrigen bosh”, u shpreh Balla, duke kërkuar reflektimin e opozitës deri të enjten.
Përplasja politike u zhvendos edhe te zgjedhjet vendore të vitit 2027. I pyetur për deklaratën e kryebashkiakut demokrat të Kavajës, Fisnik Qosja, se do t’i fitojë zgjedhjet edhe pas bashkimit me Rrogozhinën, Balla e cilësoi atë “bastexhi të rëndomtë” dhe e akuzoi për vendosje bastesh të paligjshme.
Balla foli gjithashtu për mundësinë e zgjerimit të votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme vendore, duke deklaruar se Tirana do të ishte bashkia ideale për aplikimin e kësaj teknologjie.
Ndërkohë, kundërshtitë për hartën e re territoriale mbeten të pazgjidhura. Mazhoranca kërkon të vazhdojë reformën përmes një komisioni të ri, ndërsa opozita e konsideron procesin të njëanshëm dhe të orientuar nga interesat elektorale të Partisë Socialiste.






















