Politika 13 October 2026, 13:42 Nga VNA

Xhafaj u “udhëzon” krerët e ILD-së dhe KLGJ-së si të zgjidhin ngërçin në GJKKO

Ndaje në Whatsapp

Xhafaj u “udhëzon” krerët e ILD-së dhe KLGJ-së

Fatmir Xhafaj u ka kujtuar krerëve të ILD-së dhe KLGJ-së se çfarë roli duhet të luajnë në zgjidhjen e ngërçit mes avokatëve dhe GJKKO-së, duke kërkuar më shumë angazhim institucional për një konflikt që vijon të pengojë zhvillimin normal të proceseve gjyqësore.

Gjatë diskutimeve në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, kryetari i tij, Fatmir Xhafaj, ia drejtoi fillimisht kërkesën Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, të cilin e pyeti nëse ILD-ja mund të ndërhyjë, brenda kompetencave ligjore, për të ndihmuar në kapërcimin e situatës.

Metani tha se institucioni po e ndjek me vëmendje konfliktin, por theksoi se zgjidhja kërkon diskutime mes palëve dhe se kompetencat e ILD-së nuk e bëjnë të thjeshtë një ndërhyrje të tillë.

Përgjigjja nuk e bindi Xhafajn, i cili këmbënguli se ekzistojnë hapësira për ndërhyrje, veçanërisht kur situata prek procesin e rregullt ligjor dhe rrezikon të zgjasë edhe më tej proceset gjyqësore.

Por nëse nga kreu i ILD-së mori një përgjigje të kujdesshme për kufijtë e kompetencave ligjore, me kreun e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, diskutimi mori një tjetër drejtim.

Rusi deklaroi se rregullorja e GJKKO-së për ndalimin e celularëve gjatë seancave është kompetencë e vetë gjykatës dhe se kush e kundërshton duhet ta ankimojë.

Këtu Xhafaj nuk e fshehu pakënaqësinë. Ai i kujtoi kreut të KLGJ-së se Këshilli ishte mbledhur me urgjencë për çështjen e pagave të gjyqtarëve, ndërsa për konfliktin që ka vënë përballë avokatët dhe GJKKO-në, sipas tij, po tregohej më pak aktiv.

“Për mua keni detyrim që ta bëni këtë. Kërkojmë rol proaktiv në trajtimin dhe zgjidhjen e ngërçit të krijuar në GJKKO. Uluni me këshillin e gjykatës, avokatët dhe bëni qëndrim institucional publik për këtë çështje”, u shpreh Xhafaj.

Kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, duket se nuk e fsheh dëshirën për t’u treguar krerëve të institucioneve të drejtësisë se si duhet të veprojnë, duke marrë rolin e atij që u kujton detyrimet dhe u dikton ritmin e ndërhyrjes.

Ndërkohë, rregullorja e GJKKO-së vijon të kundërshtohet nga avokatët dhe mediat për kufizimet që, sipas tyre, cenojnë të drejtat e mbrojtjes dhe lirinë e informimit. Çështja ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa zgjidhja e ngërçit mbetet ende një sfidë për institucionet përgjegjëse.

 

Lexo gjithashtu

Video

Mbyllet me këtë skenë, një nga protestat më të forta të studentëve. E nesërmja mbetet një pikëpyetje e madhe

Berisha del në konferencë urgjente, u bën thirrje demokratëve t’i bashkohen nesër protestës së studentëve: Në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit

“Kujdes shëndetësor për të gjithë, pa dallim”, thotë ministrja e Shëndetësisë, teksa informon për gjendjen e të lënduarve në spital. Por që kur trajtimi i çdo të lënduari shitet si sukses? Apo duhet t’ju falënderojmë që në urgjencë nuk kërkohet tesera e partisë?

Policia i theu këmbën dhe e tërhoqi zvarrë, i riu flet nga spitali: “Isha në hallin tim”

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme