
Një i ri është parë i gjakosur gjatë shoqërimit nga policia, pas përplasjeve të regjistruara në protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Pamjet dhe zhvillimet nga tubimi kanë nxitur reagimin e drejtuesve të opozitës.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka dalë në mbështetje të studentëve, duke kundërshtuar mënyrën e ndërhyrjes së policisë dhe duke kërkuar që ndaj të rinjve të mos ushtrohet dhunë.
Në reagimin e tij, Bardhi theksoi se përdorimi i forcës ndaj të rinjve nuk është shenjë autoriteti, por frike. Mesazhi i tij vjen në një moment kur protesta është shoqëruar me përplasje fizike, përdorim të gazit lotsjellës dhe shoqërimin e disa pjesëmarrësve.
Tubimi, i nisur me kërkesa për ndryshime dhe kundërshtime ndaj qeverisë, u tensionua pasi protestuesit dëmtuan godinën e Ministrisë së Arsimit dhe hynë brenda perimetrit të saj. Policia ndërhyri për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa disa të rinj u shoqëruan.






















