Situata është tensionuar mbrëmjen e kësaj të marte përpara Bashkisë së Tiranës, ku një grup protestuesish ka thyer derën e institucionit dhe ka arritur të futet brenda godinës. Protestuesit, të cilët u zhvendosën nga Ministria e Arsimit drejt Bashkisë së Tiranës, fillimisht hodhën gurë në drejtim të hyrjes së institucionit, duke dëmtuar dhe më pas thyer derën.
Disa prej tyre arritën të hynin në ambientet e brendshme të bashkisë, ndërsa në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, të cilat ndërhynë dhe nisën arrestimet.
Incidentet përpara Bashkisë së Tiranës shënojnë një tjetër përshkallëzim të protestës së studentëve, e cila ka vijuar për më shumë se gjashtë orë dhe është shoqëruar me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Protesta nisi përpara Ministrisë së Arsimit, ku demonstruesit hodhën vezë, gurë dhe sende të forta drejt godinës, dëmtuan xhamat dhe tentuan të hynin në ambientet e institucionit. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën.
Tensionet vijuan edhe në zona të tjera të kryeqytetit, përfshirë Sheshin “Skënderbej” dhe Rrugën e Durrësit, ku u raportuan vatra zjarri dhe dëmtime të pronës private.






















