Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët amerikanë, ndërsa protesta e studentëve në kryeqytet është shoqëruar me përplasje të dhunshme me policinë.
Në njoftimin e saj, ambasada konfirmon se protesta në Rrugën e Durrësit, pranë Sheshit Skënderbej, është përshkallëzuar në dhunë, me hedhje gurësh, dhe paralajmëron se tensionet mund të përhapen edhe në zonat përreth institucioneve qeveritare.
“Një protestë në Rrugën e Durrësit, ngjitur me Sheshin Skënderbej, është duke vazhduar aktualisht dhe është shndërruar në të dhunshme për shkak të hedhjes së gurëve. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht prani të shtuar të policisë, ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh”, thuhet në njoftim.
Ambasada u kërkon shtetasve amerikanë të shmangin zonat e demonstratave, të tregojnë vigjilencë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.
“Ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit”, përfundon njoftimi.
Paralajmërimi i përfaqësisë diplomatike amerikane vjen në një mbrëmje tensionesh në Tiranë, ku protesta e studentëve është shoqëruar me përplasje me forcat e policisë.






















