Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka reaguar për herë të dytë pas protestës së dhunshme të studentëve përpara Ministrisë së Arsimit. Këtë herë, në deklaratën e tij shfaqet edhe mundësia e përgjegjësisë së Policisë së Shtetit për përdorimin e forcës ndaj protestuesve.
Ndryshe nga reagimi i parë, Demo kërkon shqyrtimin e çdo pretendimi për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës, duke paralajmëruar se përgjegjësitë duhet të përcaktohen individualisht, mbi bazën e provave.
“Çdo veprim i Policisë duhet të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional. Organet kompetente do të shqyrtojnë paanshmërisht çdo pretendim për përdorim të paligjshëm apo joproporcional të forcës”, deklaron ministri.
Por reagimi ngre edhe një pyetje politike: a po përpiqet Ervin Demo ta zhvendosë përgjegjësinë për dhunën e sotme te drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe konkretisht te drejtori i përgjithshëm, Skënder Hitaj?
Ministri nuk përmend emra dhe as nuk njofton masa disiplinore konkrete. Megjithatë, insistimi i tij te përgjegjësitë individuale dhe verifikimi i veprimeve të policisë e vendos zinxhirin komandues përballë pyetjeve për mënyrën se si u menaxhua protesta.
Demo e nis deklaratën nga Luksemburgu, ku Shqipëria ka marrë një tjetër vlerësim në procesin e negociatave me Bashkimin Europian, për t’u kthyer më pas te pamjet e Tiranës, ku studentët u përballën me forcat e rendit.
Ai dënon sulmet ndaj policëve dhe dëmtimin e pronës, por njëkohësisht kërkon ruajtjen e pamjeve dhe dëshmive që mund të provojnë përdorimin e tepruar të forcës.
Në fund, mbetet për t’u parë nëse paralajmërimi për verifikime do të prodhojë përgjegjësi konkrete, në çfarë niveli të hierarkisë policore dhe nëse përgjegjësia do të ndalet te uniformat apo do të shkojë edhe te ata që dhanë urdhrat.
Për momentin, ministri kërkon llogari nga policia që drejton vetë. Ndërsa Skënder Hitaj, si drejtuesi më i lartë i saj, mbetet përballë pyetjes se kush e urdhëroi dhe kush e drejtoi ndërhyrjen e sotme.






















