Politika 14 October 2026, 07:28 Nga D.M

Lërini të rebelohen! Studentët nuk kanë nevojë për Berishën dhe as për deputetë që bëjnë reporterin

Ndaje në Whatsapp
Lërini të rebelohen! Studentët nuk kanë nevojë për



Protesta e djeshme në Tiranë kishte shumë gjëra që mund të diskutohen. Dhunën, gurët, ndërhyrjen e policisë, të plagosurit, por edhe zemërimin e një brezi që duket se ka gjithnjë e më pak durim me këtë vend. Por, ndërsa studentët përplaseshin me policinë, politika shqiptare po zhvillonte një tjetër betejë: kush do të arrinte të merrte pak nga protagonizmi i tyre.

Deputetë të opozitës u shfaqën në komisariate, të tjerë në spitale, disa me telefon në dorë, duke raportuar ngjarjet pothuajse si korrespondentë lufte. Facebook-u u mbush me deklarata, fotografi, denoncime dhe thirrje. Për disa orë, dukej sikur protesta kishte prodhuar më shumë reporterë nga radhët e deputetëve sesa përfaqësues politikë të gatshëm të bënin punën e tyre.

Nuk është se mungonin kamerat. Kishte media, gazetarë, qytetarë me telefona dhe rrjete sociale që transmetonin gjithçka. Nuk kishte nevojë që deputetët të zbulonin papritur profesionin e gazetarit. Ata janë zgjedhur për një punë tjetër, të cilën do të ishte mirë ta bënin të paktën me të njëjtin pasion me të cilin publikojnë video në Facebook.

Dhe pastaj, kur nata po mbyllej, nga selia e Partisë Demokratike doli me urgjencë Sali Berisha. Pas krahasimeve me dhunën e Ramiz Alisë në vitin 1990, ai ftoi demokratët dhe qytetarët të bashkoheshin sot, në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit. Sipas tij, studentët kanë nevojë për mbështetjen dhe mbrojtjen e qytetarëve.

Po kush i tha Berishës se këta studentë kanë nevojë për thirrjen e tij? Nëse dëshiron të protestojë kundër Ramës, le të thërrasë mbështetësit e vet. Ka një parti, ka deputetë, ka struktura dhe ka gjithë mundësinë të organizojë protestat e tij. Përse duhet të presë që të dalin studentët në rrugë, që më pas të nxitojë t’u bashkohet?

Ndoshta këta të rinj nuk do të fitojnë asgjë. Ndoshta protesta e tyre do të shuhet pa ndryshuar asgjë në këtë vend. Por të paktën lërini të rebelohen vetë. Pa ua veshur revoltën me ngjyrat e partive, pa ua marrë mikrofonin dhe pa ua kthyer zemërimin në një tjetër episod të luftës së vjetër mes Ramës dhe Berishës.

Sepse ka edhe një mundësi që politika nuk dëshiron ta pranojë: që këta studentë dhe qytetarë të jenë lodhur jo vetëm nga qeveria, por nga e gjithë kjo klasë politike që prej vitesh u premton ndryshimin dhe u ofron të njëjtat fytyra.

Dhe ju, deputetë, ruajini fotografitë dhe protagonizmin për vendin ku ju takon. Në Kuvend, përballë qeverisë, aty ku duhet të kërkoni llogari. Në komisariate dhe spitale shkoni për të ndihmuar, jo për të bërë spektakël me telefonat në dorë dhe për të mbushur faqet tuaja me fotografi e video. Ka mjaft gazetarë, kamera dhe qytetarë që e tregojnë çfarë ndodh.

Për një herë të vetme, politika mund të bëjë diçka të dobishme për këta të rinj: të mos u dalë përpara. Të mos ua marrë protestën. T’i lërë të kenë, të paktën, revoltën e tyre.

Lexo gjithashtu

Video

🔴PO NDODH TANI

Një lutje mes zemërimit dhe kaosit

Momenti kur protestuesit futen në Komisariatin nr. 2 në Tiranë

“Thirr ambulancën moreee”, gazetarët ndihmojnë policin e dëmtuar në protestë. Gazetarët Isa Myzyraj dhe Sara Demushi kanë lënë raportimin për disa minuta dhe i kanë ardhur në ndihmë policit, i cili gjendet i shtrirë në tokë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme