Protesta e mbrëmshme në Tiranë nuk nxori në pah vetëm dhunën e policisë ndaj qytetarëve, por edhe një marrëdhënie që duket se nuk funksionon siç duhet në drejtimin e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Reagimet e ministrit Ervin Demo dhe masat e mëvonshme të drejtorit të përgjithshëm, Skënder Hitaj, krijuan përshtypjen e dy drejtuesve që, për të njëjtën ngjarje, nuk po ndiqnin të njëjtën linjë.
Ndërhyrja e policisë gjatë protestës ishte dukshëm joproporcionale në disa prej pamjeve të publikuara. Rasti i 19-vjeçarit që përfundoi me këmbën e thyer, duke pretenduar se ishte dhunuar nga efektivët, e bëri edhe më të rëndë bilancin e mbrëmjes. Por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte mënyra se si reagoi ministri i Brendshëm.
Fillimisht, Demo publikoi një reagim në Facebook ku mbante në mbrojtje forcat e rendit. Më pas, në një videomesazh, ndryshoi tonin dhe paralajmëroi hetim të veprimeve të policisë, duke e shtrirë përgjegjësinë edhe te zinxhiri komandues. Për një ministër të Brendshëm, ky nuk është një paralajmërim i zakonshëm, veçanërisht kur bëhet publik në mes të një krize.
Por përse duhej të mbërrinte protesta në këtë pikë që ministri të kërkonte verifikimin e përdorimit të forcës? Demo ndodhej në Luksemburg, së bashku me kryeministrin Edi Rama, por distanca gjeografike nuk e përjashton përgjegjësinë politike. A nuk po e ndiqte ministri në kohë reale operacionin? A ishte informuar për mënyrën se si policia po ndërhynte ndaj protestuesve? Dhe nëse po, përse qëndrimi i tij ndryshoi vetëm pasi pamjet e dhunës u përhapën në publik?
Ndërkohë, Skënder Hitaj urdhëroi pezullimin e katër efektivëve dhe shefit të Rendit të Komisariatit Nr. 1, pas publikimit të videos së 19-vjeçarit me këmbën e thyer. U njoftuan hetime disiplinore dhe verifikimi i veprimeve të policisë gjatë gjithë protestës. Masat ishin të nevojshme, por koha kur u morën ngre një tjetër pyetje: a ishin rezultat i vlerësimit të vetë drejtuesve të policisë apo i presionit të krijuar pas reagimit të ministrit?
Kjo nuk është hera e parë që shfaqen dallime mes Demos dhe Hitajt. Pas vrasjes së Artan Myrtajt në Sarandë, ministri kërkoi largimin e gjithë zinxhirit komandues të komisariatit, ndërsa drejtori i Policisë njoftoi rivlerësimin e performancës, pa shpallur shkarkimet e kërkuara. Edhe atëherë, dy drejtuesit dhanë sinjale të ndryshme për të njëjtën ngjarje.
Në këtë sfond, protesta e 13 tetorit merr edhe një dimension tjetër. A kemi të bëjmë me mungesë koordinimi institucional apo me një përplasje të heshtur për autoritetin mbi Policinë e Shtetit?
Mbi këtë marrëdhënie rëndon edhe pozicioni politik i Hitajt. I ardhur në krye të Policisë pas drejtimit të qarkut të Fierit, emërimi i tij është lidhur në debatet politike me mbështetjen e Belinda Ballukut. Ndryshimet e mëvonshme në qeveri kanë ngritur pikëpyetje për peshën e tij politike dhe mbështetjen që gëzon te kryeministri.
Për momentin, faktet tregojnë dy episode ku ministri dhe drejtori i Policisë kanë dalë publikisht me qëndrime të ndryshme. Nëse pas tyre fshihet një luftë e ftohtë për kontrollin e institucionit, kjo mbetet për t’u provuar.
Problemi është se, ndërsa ministri dhe drejtori mund të vazhdojnë të matin autoritetin e njëri-tjetrit, përgjegjësia për sigurinë e qytetarëve nuk mund të mbetet pezull mes dy zyrave.
Dhe një pyetje mbetet për Ervin Demon: nëse zinxhiri komandues duhet të japë llogari për atë që ndodhi mbrëmë, ku fillon dhe ku përfundon ky zinxhir?






















