Zyra e Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar lidhur me zhvillimet më të fundit dhe përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestës në kryeqytet, duke bërë thirrje për ulje të tensioneve, hetim të shpejtë të incidenteve dhe nisjen e një dialogu konstruktiv.
Përmes një deklarate zyrtare, BE shpreh shqetësimin për dhunën e ushtruar, ndërsa nëgzon se liria e tubimit dhe e shprehjes janë vlera themelore evropiane që duhet të ushtrohen gjithmonë në mënyrë paqësore.
Në deklaratën e saj, Zyra e BE-së në Tiranë nëvizoi:
"Ne shprehim shqetësim në lidhje me përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore."
Më tej, BE ndalet tek raportimet për ndërhyrjen e forcave të rendit ndaj qytetarëve dhe përfaqësuesve të medias, duke kërkuar proporcionalitet dhe hetime me përparësi për çdo shkelje të mundshme.
"Ne jemi në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi," thuhet në deklaratë.
Në përmbyllje, Zyra e BE-së u bën thirrje të gjitha palëve politike dhe aktorëve të përfshirë për vetëpërmbajtje dhe mirëkuptim:
"Inkurajojmë të gjitha palët të ulin tensionet. Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara."






















