Nëse do të ishte një ditë normale dhe rrugët nuk do të zienin nga revolta, axhenda e kryeministrit Edi Rama sot do të parashikonte një takim me grupin parlamentar të PS-së në Pallatin e Brigadave. Nga ato takime që nuk prodhojnë asgjë, përveç protagonizmit të kryeministrit në të gjitha mediat.
Por VNA mëson se Rama e ka anuluar takimin me deputetët socialistë, të parashikuar në orën 10:00.
Ky ndryshim në axhendë vjen një ditë pas protestës dhe pamjeve të dhunës policore që kanë shkaktuar zemërim. Megjithatë, kryeministri ende nuk ka bërë një reagim për atë që ndodhi dje. As për protestën, as për mënyrën se si policia u përball me protestuesit.
Këtë mëngjes, Rama ka zgjedhur t’i përshëndesë shqiptarët me pamjet e përqafimeve me Marta Kos në Luksemburg. Në rrjetet e tij sociale vijojnë pamjet nga takimet jashtë vendit, ndërsa ngjarjet e djeshme në Tiranë mbeten pa një koment prej tij.
Anulimi i takimit me grupin parlamentar ngre pikëpyetje nëse kryeministri po rishikon axhendën për shkak të situatës.
Sepse pas asaj që ndodhi dje, një përshëndetje nga Luksemburgu vështirë se u përgjigjet shumë pyetjeve që janë ngritur në Tiranë.






















