
Në pamundësi për të mbushur sheshet apo për të organizuar protesta masive, Partia Demokratike ka gjetur një mënyrë origjinale për të treguar se është “afër qytetarëve” dhe studentëve: duke u ofruar avokatë pa pagesë në rast se përfundojnë në rajonet e policisë.
Në vend që të fokusojë energjitë te mbështetja reale e kauzave studentore apo te organizimi i protestave me pjesëmarrje masive, Sekretariati për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore i PD-së ka dalë me një njoftim zyrtar ku premton mbrojtje ligjore 24 orë në 7 ditë për këdo që shoqërohet apo arrestohet.
"Partia Demokratike, nëpërmjet Sekretariatit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, njofton krijimin e një grupi avokatësh, të cilët janë në dispozicion 24 orë në 7 ditë, për të ofruar asistencë dhe mbështetje ligjore për çdo protestues që shoqërohet, ndalohet apo arrestohet në lidhje me pjesëmarrjen në protestat studentore", thuhet në njoftimin e selisë blu.
Mesazhi për studentët duket i qartë: në shesh mund të jeni vetëm, por në rajon do të keni një skuadër me avokatë.
Sipas njoftimit zyrtar, mbrojtja ligjore do të shtrihet në të gjitha shkallët e institucioneve të drejtësisë:
"Grupi i avokatëve do të ofrojë asistencë ligjore pranë organeve të Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe Gjykatave, me qëllim garantimin e të drejtave ligjore të çdo protestuesi dhe mbrojtjen e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi."
Për të kompletuar skenarin, PD ka publikuar edhe listën me emrat e skuadrës ligjore – ku bëjnë pjesë Marash Logu, Eda Grimci, Adriana Kalaja, Franc Nuri, Shaqir Manjani, Besart Logu dhe Ledio Nuraj – si dhe një numër emergjence.
"Çdo protestues që ka nevojë për asistencë ligjore mund të kontaktojë në çdo kohë në numrin: 067 482 5149", njofton opozita.
Ndërsa premtimet për frymëzimin e revoltës qytetare kanë mbetur vetëm në letër, PD kujdeset të përmbyllë deklaratën duke ritheksuar përkushtimin për "respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të protestuesve, si dhe të garantimit të procesit të rregullt ligjor".
Për sa kohë sheshet mbeten bosh, studentëve u mbetet vetëm të ruajnë numrin e telefonit në celular – se kurrë nuk i dihet se kur u duhet avokati i PD-së!






















