
Një studente ka shpërthyer në lot gjatë protestës në Tiranë, duke shprehur revoltën ndaj qeverisë dhe kushteve të vështira në të cilat jetojnë të rinjtë shqiptarë. Ajo ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se studentët protestuan për tre muaj në mënyrë paqësore, por kërkesat e tyre u shpërfillën.
“Po na marrin të ardhmen. Dolëm paqësisht tre muaj, nuk na dëgjoi njeri”, është shprehur e reja, duke paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë çdo ditë.
Studentja ka renditur kërkesat kryesore, duke nisur nga largimi i kryeministrit, përmirësimi i kushteve në konvikte, respektimi i ligjit dhe ndalimi i dhunës policore. Ajo ka theksuar se të rinjtë nuk po kërkojnë privilegje, por të drejtat më minimale.
E revoltuar nga ndërhyrjet e policisë, ajo ka paralajmëruar për pasojat që mund të sjellë dhuna ndaj protestuesve, duke thënë se një incident fatal mund të shkaktojë reagim të gjerë qytetar.
Një pjesë e deklaratës së saj i është kushtuar edhe dëmtimeve të shkaktuara gjatë protestave. Studentja ka kërkuar ndjesë për bizneset private të prekura, por njëkohësisht ka bërë thirrje për sulme ndaj institucioneve shtetërore, përfshirë Parlamentin.
Ajo u është përgjigjur edhe deputeteve që kanë vënë në dyshim pjesëmarrjen e studentëve në protesta. E reja ka treguar se ka studiuar në Fakultetin Ekonomik dhe se për pesë vite është detyruar të punojë paralelisht me studimet.
Mes lotësh, studentja ka rrëfyer se është e vetme në Shqipëri, pasi prindërit, motra dhe vëllai i saj jetojnë në emigrim. Sipas saj, pikërisht këto vështirësi dhe mungesa e perspektivës e kanë shtyrë të dalë në protestë, ndërsa u ka bërë thirrje edhe prindërve të mbështesin të rinjtë.
E reja ka akuzuar gjithashtu pushtetarët se pasurohen me taksat e qytetarëve, duke përmendur Belinda Ballukun dhe pronat luksoze. Ajo ka kritikuar edhe trajtimin që, sipas saj, policia u bën studentëve, duke e krahasuar me mënyrën se si është trajtuar Vlora Hyseni, të cilën e ka përmendur në lidhje me Ergys Agasin.
Në vijim, studentja ka ngritur shqetësimin për pamundësinë e të rinjve për të blerë një banesë me pagat aktuale. Ajo ka treguar se shumë prej tyre detyrohen të ndajnë apartamente me persona të panjohur për të përballuar shpenzimet e jetesës.
Në përfundim, e reja ka deklaruar se studentët nuk do të tërhiqen nga protesta, pavarësisht ndërhyrjeve të policisë.
“Le të dhunojnë sa të duan, zërin tonë nuk mund ta mposhtin”, është shprehur ajo, duke e mbyllur reagimin me fjalët: “Nuk kemi më ca humbim.”






















