
Presidenti Bajram Begaj ka dalë sërish nga heshtja, këtë herë për t'u kujtuar të rinjve që protestojnë se dhuna nuk është zgjidhje dhe se zëri i tyre duhet dëgjuar. Një këshillë e vyer nga kreu i shtetit, i cili, kur vjen puna për t'u përballur me pushtetin e Edi Ramës, nuk shquhet pikërisht për qëndrime sfiduese.
“Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht zëri i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë”, deklaron Begaj, duke dënuar njëkohësisht aktet e dhunës gjatë dy ditëve të protestave.
“Dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja”, thekson Presidenti, i cili kërkon “qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog”.
Por ajo që Begaj nuk sqaron është se si duhet të veprojnë të rinjtë përballë një pushteti që ata e konsiderojnë të shurdhër ndaj kërkesave të tyre. Të vazhdojnë të presin derisa Rama të vendosë t'i dëgjojë? Apo të marrin shembull nga Presidenti, i cili i përkulet kryeministrit në çdo takim që bën me të?






















