Politika 15 October 2026, 08:33 Nga VNA

Rama shfaqet mes rrënojave dhe gjen armikun e duhur: Sali Berishën

Ndaje në Whatsapp
Rama shfaqet mes rrënojave dhe gjen armikun e duhur: Sali Berishën

Siç pritej, Edi Rama doli sot për t’ia faturuar Sali Berishës dhunën dhe shkatërrimet që përfshinë Tiranën mbrëmjen e djeshme. Kryeministri zgjodhi të shfaqej pikërisht përpara zyrës së djegur të përfaqësimit të Kolegjit të Europës, në kubin nr. 15 të kompleksit të Piramidës. Një zgjedhje aspak rastësore, pasi kjo zyrë, simbol i pranisë europiane në kryeqytet, i shërbente më së miri mesazhit të tij se opozita kërkon ta largojë Shqipërinë nga Europa.

Por ka një hollësi që e bën edhe më domethënëse këtë skenë. Sipas informacioneve për praninë e drejtuesve të policisë gjatë protestës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ndodhej në zonën e Piramidës në kohën kur po digjej zyra e Kolegjit të Europës. Pra, kryeministri zgjodhi të fliste nga rrënojat e një zyre që u shkatërrua ndërsa në zonë ndodhej vetë drejtuesi më i lartë i Policisë së Shtetit.

Një skenografi pothuajse perfekte për një kryeministër që, pas një nate kaosi në kryeqytet, kishte nevojë të gjente fajtorin politik dhe ta zhvendoste vëmendjen nga përgjegjësia e institucioneve që drejton. Sepse zyra ku Rama regjistroi mesazhin e tij nuk u dogj në një qytet pa polici. Ajo u shkatërrua në zemër të Tiranës, ndërkohë që forcat e rendit nuk arritën të parandalonin shkatërrimin e pronës publike dhe private. Biznese të sulmuara, institucione të dëmtuara, rrugë të shkatërruara dhe zjarre në qendër të kryeqytetit. E megjithatë, në mesazhin e sotëm të kryeministrit mungoi pyetja më e rëndësishme: ku ishte policia ndërsa Tirana digjej?

Gjatë gjithë mbrëmjes, forcat e rendit u panë të ndërhynin kryesisht pasi sulmet kishin nisur dhe dëmet ishin shkaktuar. Në vend të një strategjie për të mbrojtur institucionet dhe pronën private, Tirana përjetoi orë të tëra ku shkatërrimet dukeshin se zhvilloheshin pothuajse pa pengesë. Pikërisht kjo mungesë reagimi ngre pikëpyetje serioze për përgjegjësinë e drejtuesve të policisë dhe të Ministrisë së Brendshme. Por për këtë Rama nuk tha asnjë fjalë.

Kryeministri preferoi të fliste për duart e opozitës. “Këto janë duart që përpiqen ta ulin poshtë Shqipërinë sa herë që Shqipëria përpiqet të shkojë lart”, deklaroi ai, duke akuzuar kundërshtarët politikë se kërkojnë ta rikthejnë vendin në humnerë. Rama përjashtoi studentët nga përgjegjësia politike për shkatërrimet, duke deklaruar se ato “nuk janë dhe s’mund të jenë duart e studentëve”, ndërsa u shpreh i gatshëm të dialogojë me ta.

Por për ta ndërtuar këtë narrativë, Ramës nuk iu desh të lodhej shumë. Në ndihmë i erdhi vetë Sali Berisha.

Gjatë gjithë ditës së djeshme, protesta kishte treguar se nuk dëshironte të identifikohej me Partinë Demokratike. Deputetë të saj u përzunë nga protestuesit, ndërsa të rinjtë këmbëngulnin të ruanin karakterin e revoltës së tyre kundër qeverisë. Megjithatë, në orët e vona të mbrëmjes, kur Tirana kishte kaluar orë të tëra përplasjesh dhe shkatërrimesh, Berisha nuk ngurroi të dilte publikisht për të deklaruar se në protestë kishin qenë edhe demokratët.

Një deklaratë që i shërbeu më shumë Edi Ramës sesa vetë opozitës. Sepse pikërisht këtë lidhje kërkonte kryeministri për ta kthyer revoltën e të rinjve në një tjetër kapitull të konfliktit të tij të përhershëm me Sali Berishën. Dhe Berisha, në vend që të linte studentët të flisnin me zërin e tyre, i ofroi Ramës mundësinë që t’i vendoste protestës etiketën e zakonshme politike.

Në vend që qeveria të përballej me pyetjet për zemërimin e studentëve, për mënyrën si u menaxhua protesta dhe për dështimin e policisë në mbrojtjen e kryeqytetit, debati u rikthye aty ku Rama ndihet më komod: te Berisha, opozita dhe e shkuara.

Kryeministri paralajmëroi gjithashtu se “gjithkush që ka dorë në këtë katrahurë do të paguajë”, duke kujtuar se ligji nuk është larg. Një paralajmërim që duhet të vlejë për autorët e dhunës dhe shkatërrimeve, por që nuk mund të zëvendësojë llogaridhënien për mënyrën se si veproi, ose nuk veproi, Policia e Shtetit. Sepse nëse ligji nuk është larg për ata që dogjën dhe shkatërruan, përse përgjegjësia duhet të jetë kaq larg për ata që kishin detyrë t’i ndalonin?

Në mes mbeten studentët, zemërimi i tyre dhe një kryeqytet i dëmtuar rëndë. Një brez që doli në rrugë për të protestuar kundër qeverisë dhe që tani rrezikon të shohë revoltën e vet të reduktuar në përplasjen e radhës mes dy politikanëve që kanë dominuar jetën politike shqiptare për më shumë se tri dekada.

Në fund, Rama dhe Berisha e gjetën përsëri njëri-tjetrin. Njëri mes rrënojave duke akuzuar, tjetri duke marrë përsipër një protestë që nuk e kishte organizuar. Dhe të dy, secili në mënyrën e vet, duke e kthyer revoltën e studentëve në një tjetër histori të vjetër të politikës shqiptare.

Video

Vijojnë tensionet mes të rinjve dhe policisë në Tiranë.

Policia në ndjekje të protestuesve në zonën e ish-Bllokut.

Shtatë policë arrestojnë një adoleshent që protestonte.

🥺

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme