Për orë të tëra, ndërsa Tirana përfshihej nga flakët, institucionet shtetërore sulmoheshin dhe bizneset private shkatërroheshin, dy njerëzit më të rëndësishëm për sigurinë publike në vend, ministri i Brendshëm Ervin Demo dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, nuk dhanë asnjë shpjegim publik. Policia ndërhynte në mënyrë sporadike, herë tërhiqej dhe herë përdorte forcën ndaj protestuesve, ndërsa qyteti përjetonte një nga mbrëmjet më të dhunshme të viteve të fundit. Vetëm më vonë, ministri Demo reagoi përmes një videoje, kurse Hita u shfaq në pamje duke lëvizur në zonën e protestës, ndërkohë që pak metra larg tij sulmoheshin biznese private.
Por ajo që tërhoqi vëmendjen ndodhi vonë në mbrëmje, kur protesta kishte përfunduar dhe Tirana kishte mbetur me dëmet e saj. Demo dhe Hita shkuan në Spitalin Ushtarak për të vizituar 51 efektivët e raportuar të lënduar gjatë protestës. Jo së bashku, siç mund të pritej nga dy drejtuesit e institucioneve përgjegjëse për rendin, por veç e veç. Secili me vizitën, falënderimet dhe mesazhin e tij për policët e plagosur.
Në sfondin e përplasjeve të brendshme politike në mazhorancë dhe mënyrës së çorganizuar me të cilën u menaxhuan protestat e 48 orëve të fundit, kjo sjellje ngre pikëpyetje për marrëdhënien mes ministrit dhe drejtorit të Policisë. A ka një problem në zinxhirin e komandimit? A ka mosmarrëveshje për mënyrën si u menaxhua protesta? Apo vizitat e ndara ishin thjesht rastësi? Përgjigjet mungojnë. Por një gjë kërkon shpjegim: kush i mori vendimet për ndërhyrjet dhe tërheqjet e policisë, ndërsa Tirana digjej? Dhe pse dy drejtuesit që duhet të japin këtë përgjigje u shfaqën vetëm pasi gjithçka kishte marrë fund?






















