
Pas zhvillimeve të fundit dhe tensioneve të rritura gjatë protestave në vend, ka ardhur edhe reagimi publik i Kreut të Shtetit. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar dhe një reagimi në rrjetet sociale, Presidenti i Republikës ka shprehur shqetësimin e tij për situatën e krijuar, ndërsa si rrallë herë nuk ka kursyer kritikat as ndaj veprimeve të forcave të rendit.
Presidenti nënviszoi se është duke e ndjekur me vëmendje dhe shqetësim situatën në terren, duke iu bërë thirrje të gjitha palëve për pjekuri politike dhe vetëpërmbajtje:
“Presidenti i Republikës ndjek me shqetësim përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave dhe u bën thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përgjegjësi e vetëpërmbajtje.”
Teksa rikonfirmoi se e drejta për të protestuar është një shtyllë kryesore e rendit demokratik që duhet mbrojtur nga shteti, ai dënoi përdorimin e dhunës, por njëkohësisht tëhoqi vërejtjen edhe ndaj tejkalimit të kompetencave nga ana e policisë:
“E drejta për protestë paqësore është themel i demokracisë dhe detyrim i shtetit për ta garantuar. Por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, as përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit.”
Në mesazhin e tij, Kreu i Shtetit kërkoi respektim absolut të kuadrit kushtetues nga të gjithë aktorët e përfshirë, duke u ofruar si një urë lidhëse dhe hapësirë për dëgjimin e shqetësimeve qytetare e rinore:
“Në këtë moment, vendit i duhet më shumë përgjegjësi. Kushtetuta dhe ligji duhet të mbeten kufiri i të gjithëve, pa përjashtim. Mbetem i gatshëm të dëgjoj të gjitha shqetësimet. Zyra ime është dhe do të mbetet e hapur për çdo të ri e çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit.”
Kjo deklaratë vjen në një moment delikat socio-politik, ku thirrja e Presidentit për dialog dhe proporcionalitet nga ana e forcave të policisë shihet si një përpjekje për të ulur gjakrat dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të përplasjeve në rrugë.






















