
Sara Mile ka gjetur fajtorin për protestën e studentëve dhe dhunën që shoqëroi përplasjet me policinë: Sali Berishën. Deputetja socialiste, e cila në vitin 1997 ishte vetëm dy vjeç, ka vendosur t’u kujtojë shqiptarëve traumat e atij viti dhe t’u shpjegojë se kush po ua rrezikon të ardhmen fëmijëve të tyre.
Në një postim në Facebook, Mile akuzon Berishën se, për shkak të egos së tij, po rrezikon rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Sigurisht, deputetja ka të drejtë të flasë për vitin 1997, edhe pse e ka njohur atë kryesisht nga rrëfimet e të tjerëve. Por është disi e çuditshme që gjen kaq lehtë përgjegjësit për një të shkuar që nuk e mban mend, ndërsa nuk sheh përgjegjësitë e qeverisë së saj për të tashmen.
Sepse studentët nuk dolën në rrugë për vitin 1997. Ata protestojnë në vitin 2026, pas trembëdhjetë vitesh qeverisjeje socialiste, në një vend ku diploma nuk garanton punë dhe ku lidhjet politike shpesh vlejnë më shumë se aftësitë.
Sara Mile është vetë një nga produktet më domethënëse të këtij sistemi. Një deputete e katapultuar me shpejtësi në politikë, emri i së cilës është përfshirë në debatet për votat e ardhura nga burgu i Rrogozhinës. Pikërisht modeli i karrierës politike që ushqen zhgënjimin e një brezi të tërë: besnikëri ndaj partisë, servilizëm ndaj pushtetit dhe ngjitje në hierarki pa pasur nevojë të provosh shumëçka përpara publikut.
Dhe tani, nga karrigia e deputetes, Mile u shpjegon të rinjve se problemi i tyre është një politikan që drejtonte vendin kur ajo ishte dy vjeç.
Sali Berisha ka përgjegjësitë e tij për të shkuarën. Por Sara Mile dhe kolegët e saj janë pjesë e pushtetit që duhet të japë llogari për të tashmen.
Studentët nuk kanë dalë në rrugë për të ndryshuar historinë e vitit 1997. Kanë dalë sepse nuk duan që e ardhmja e tyre të vazhdojë të vendoset nga njerëz që e kanë kthyer servilizmin në meritë dhe partinë në ashensor karriere.






















