Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një tjetër paralajmërim urgjent për shtetasit amerikanë, ndërsa protesta e studentëve ka hyrë në një fazë të re përplasjesh me policinë.
Për të dytën ditë radhazi, situata në zemër të kryeqytetit ka detyruar përfaqësinë diplomatike amerikane të aktivizojë paralajmërimet e sigurisë, duke ngritur shqetësimin se dhuna mund të përhapet edhe në zonat ku ndodhen institucionet kryesore qeveritare.
Në njoftimin e publikuar këtë të mërkurë, ambasada thekson se protesta e nisur në Rrugën e Durrësit, pranë Sheshit Skënderbej, është përshkallëzuar me hedhje gurësh dhe mund të zgjerohet drejt ndërtesave qeveritare.
Paralajmërimi flet për mundësinë e shtimit të forcave policore, bllokimit të rrugëve, devijimit të trafikut dhe kufizimeve të tjera të lëvizjes në qendër të Tiranës.
Situata konsiderohet mjaftueshëm shqetësuese sa personelit të Ambasadës Amerikane t’i jetë kërkuar të shmangë demonstratat.
Shtetasve amerikanë u bëhet thirrje të tregojnë vigjilencë të shtuar, të shmangin zonat e protestës, të ndjekin zhvillimet në mediat lokale dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve të sigurisë.
Ky është paralajmërimi i radhës nga përfaqësia diplomatike e SHBA-së, ndërsa protesta e studentëve, e nisur si revoltë ndaj qeverisë, po shoqërohet me tensione gjithnjë e më të forta në rrugët e kryeqytetit.






















