Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes pas protestave të shoqëruara me përplasje dhe dëmtime në Tiranë. Në përgjigjen e tij për agjencinë Reuters, ai ka deklaruar se qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike, ndërsa është shprehur i gatshëm të dialogojë me studentët për kërkesat e tyre legjitime.
“Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike, dhe ne i zhvilluam ato vitin e kaluar, jo përmes dhunës”, është shprehur Rama.
Kryeministri ka theksuar se respekton të drejtën e studentëve për të protestuar, për të sfiduar qeverinë dhe për të kërkuar arsim më të mirë, mundësi dhe llogaridhënie.
“Zëri i tyre është dëgjuar edhe në të kaluarën dhe do të dëgjohet gjithmonë. Jemi të gatshëm të angazhohemi dhe këtë e kemi thënë shumë qartë”, ka deklaruar ai.
Duke u ndalur te përplasjet, Rama ka pretenduar se dhuna nuk organizohet nga studentët dhe se shumica dërrmuese e tyre nuk ndodhet në rrugë. Ai ka dënuar sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimin e pronës publike, duke i cilësuar si veprime pa lidhje me kërkesat legjitime të të rinjve.
Në deklaratën e tij, kryeministri ka ngritur edhe dyshimin për përfshirjen e forcave brenda dhe jashtë vendit, pa përmendur emra apo paraqitur prova.
“Ndoshta dikush, apo disa forca brenda dhe jashtë vendit, nuk duan që Shqipëria të shkëlqejë si një nga vendet pararojë drejt Bashkimit Europian, por unë nuk do të lejoj që dhuna të devijojë të ardhmen europiane të Shqipërisë”, ka thënë Rama.
Për luftën kundër korrupsionit, ai ka mbrojtur bilancin e qeverisë dhe Reformën në Drejtësi, duke deklaruar se njerëz të fuqishëm po japin llogari përpara një gjyqësori të pavarur.
Rama ka shtuar se përgjegjësia e tij është të dëgjojë shqetësimet legjitime dhe të vijojë punën për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.






















