Entuziazmi për pastërtinë e kryeqytetit duket se e ka rrëmbyer aq shumë deputetin e Partisë Socialiste për qarkun e Lezhës, Ermal Pacaj, saqë në nxitim e sipër për të falënderuar Bashkinë e Tiranës dhe Erion Veliajn, ka harruar rregullat bazë të gjuhës shqipe.
I prekur nga puna e punonjësve të pastrimit pas protestës, deputeti nxitoi të bënte një postim "emocionues" në rrjetet sociale. Mirëpo, vëmendjen e morën gabimet e tij drejtshkrimore, veçanërisht në fjalën e fundit të fjalisë, si dhe mospërputhja e rasteve në tekst.
Si është shkruar nga deputeti:
"Faleminderit Bashkisë Tiranë dhe veçanërisht punonjësit e pastrimit, të cilët që në orët e para të mëngjesit po punojnë për të pastruar qytetin nga mbetjet e lëna pas protestës së dhunshme mbrëmshme. Respekt për këta njerëz. Tirana është shtëpia e të gjithëve."
Si duhet të jetë:
"Faleminderit Bashkisë Tiranë dhe veçanërisht punonjësve të pastrimit, të cilët që në orët e para të mëngjesit po punojnë për të pastruar qytetin nga mbetjet e lëna pas protestës së dhunshme të mbrëmshme. Respekt për këta njerëz. Tirana është shtëpia e të gjithëve."






















