
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka dalë në mbështetje të studentëve protestues, duke dënuar përdorimin e dhunës nga forcat e rendit dhe duke kërkuar nga qeveria reagim të menjëhershëm ndaj kërkesave të tyre. Përmes një deklarate të datës 13 tetor, Sindikata paralajmëron se mungesa e dialogut dhe neglizhimi i vazhdueshëm i shqetësimeve të studentëve dhe qytetarëve po thellojnë krizën e besimit ndaj institucioneve.
Në reagimin e saj, Sindikata e cilëson protestën një të drejtë kushtetuese dhe kërkon nga autoritetet të garantojnë ushtrimin paqësor të saj. Sipas përfaqësuesve të komunitetit akademik, përshkallëzimi i situatës është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së reagimit institucional, ndërsa edhe pas 135 ditësh protestash, kërkesat e qytetarëve dhe studentëve vijojnë të mbeten pa përgjigje.
Një pjesë e rëndësishme e deklaratës i kushtohet Ministrisë së Arsimit, përpara së cilës studentët zgjodhën të protestojnë. Sindikata thekson se ky institucion duhet të jetë në shërbim të studentëve, pedagogëve dhe familjeve që investojnë për arsimimin e fëmijëve të tyre, dhe jo një institucion që shmang komunikimin me ta.
Në këtë kontekst, Sindikata zbulon se edhe vetë i është drejtuar Ministrisë së Arsimit me një shkresë zyrtare që në muajin mars, por deri më sot nuk ka marrë përgjigje. Sipas saj, heshtja institucionale ndaj pedagogëve është e njëjta me atë që po përballen studentët në protestat e tyre.
Sindikata u bën thirrje të gjithë pedagogëve, kërkuesve shkencorë dhe punonjësve të universiteteve që të solidarizohen me studentët, duke theksuar se kërkesat për arsim cilësor, kushte dinjitoze studimi dhe pune, si dhe trajtim të drejtë të problemeve të arsimit të lartë, janë shqetësime të përbashkëta të komunitetit akademik.
Në deklaratë nuk mungon as një mesazh i drejtpërdrejtë politik. Sindikata kërkon nga qeveria dhe aktorët politikë të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të nisin një dialog real për zgjidhjen e kërkesave. Ajo shkon më tej, duke theksuar se nëse konfigurimi aktual politik nuk është në gjendje t'u japë zgjidhje problemeve të ngritura, duhet t'i hapet rruga alternativave politike që mundësojnë kapërcimin e krizës, në përputhje me parimet demokratike dhe vullnetin qytetar.
Në fund, Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë rithekson mbështetjen për studentët dhe kërkon që institucionet të mos mjaftohen me përgjigje formale apo shtyrje të vazhdueshme, por të ndërmarrin hapa konkretë për adresimin e kërkesave të tyre.






















