
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi, është paraqitur sërish në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa pak minuta pas largimit të tij nga institucioni, në ambientet e prokurorisë ka mbërritur edhe bashkëshortja e tij, ish-ministrja Olta Xhaçka.
Pas daljes nga SPAK, Gaçi nuk ka pranuar të komentojë për mediat, duke mos dhënë sqarime mbi arsyet e thirrjes së tij. Edhe për paraqitjen e Xhaçkës nuk ka ende një njoftim zyrtar që të përcaktojë se për çfarë çështjeje është thirrur apo në çfarë cilësie po pyetet.
Sipas informacioneve paraprake, ndaj Gaçit ka nisur një hetim i ri, që lidhet me dyshime për pastrim parash dhe transferta të dyshuara monetare në disa shtete. Hetimi mësohet se ka nisur pas këqyrjes së telefonit të një shtetaseje që ka bashkëpunuar me drejtësinë në një çështje tjetër, ku janë gjetur komunikime që lidhen me transferta parash.
Në kuadër të këtyre verifikimeve, nuk përjashtohet mundësia që hetimet të shtrihen edhe te persona të tjerë, përfshirë bashkëshorten e Gaçit, Olta Xhaçkën. Megjithatë, deri më tani nuk ka të dhëna zyrtare që të sqarojnë statusin e saj në këtë hetim apo nëse paraqitja e saj lidhet drejtpërdrejt me të njëjtën çështje.
Artan Gaçi është paraqitur edhe më herët në SPAK. Më 8 tetor, ai mbërriti në Prokurorinë e Posaçme i shoqëruar nga avokati Gurali Brahimllari, i cili deklaroi se klienti i tij ishte thirrur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime.






















