Kronika 14 October 2026, 16:45 Nga VNA

GJKKO kërkon ndërhyrje ligjore për të parandaluar zvarritjen e gjykimeve nga bojkotet e avokatëve

Ndaje në Whatsapp

GJKKO kërkon ndërhyrje ligjore për të parandaluar zvarritjen

GJKKO i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor me kërkesën për të iniciuar ndryshime ligjore që parandalojnë bllokimin e proceseve gjyqësore nga bojkotet e avokatëve. Gjykata thekson se mosparaqitja kolektive cenon të drejtat e individit dhe parimin e mbrojtjes nga unifikimi i shërbimit publik të drejtësisë. Sipas institucionit, protesta mbetet një e drejtë individuale që nuk duhet të pezullojë detyrimet ligjore dhe profesionale ndaj klientëve apo gjykatës.

Përveç rregullimit të proceseve, kërkesa përfshin edhe propozimin për përfaqësimin e magjistratëve në organet drejtuese të Dhomës së Avokatisë mbi bazën e reciprocitetit. GJKKO nëvizon se vendimmarrjet e kësaj dhome ndikojnë drejtpërdrejt në administrimin e drejtësisë, veçanërisht në çështjet që lidhen me lirinë personale. Propozimi shoqërohet nga një relacion analitik që mbështetet në jurisprudencën vendase dhe ndërkombëtare për të garantuar vijimësinë e seancave.

Njoftimi:

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke kërkuar që pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit të Shqipërisë të përcillet nevoja për ndërhyrje ligjore në dy drejtime:

1. Përcaktimin e rregullave të qarta ligjore për të parandaluar ndërprerjen e proceseve gjyqësore nga mosparaqitja kolektive e avokatëve, duke garantuar përmbushjen e detyrimeve të mbrojtjes, vijimësinë e gjykimeve dhe respektimin e të drejtave të individit.

2. Parashikimin e përfaqësimit të magjistratëve në organet drejtuese të Dhomës së Avokatisë, mbi bazën e parimit të paritetit dhe reciprocitetit institucional, për të forcuar bashkërendimin në administrimin e drejtësisë. Kjo kërkesë mbështetet në faktin se, ndërsa avokatia përfaqësohet në organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, gjyqtarët dhe prokurorët nuk kanë përfaqësim në organet drejtuese të Dhomës së Avokatisë, megjithëse vendimmarrja e këtyre organeve mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e gjykimeve dhe garantimin e mbrojtjes së detyrueshme.

Në kërkesën e saj, Gjykata thekson se e drejta e protestës është një liri themelore, ushtrimi i së cilës duhet të respektojë ligjin, parimin e proporcionalitetit dhe të drejtat e të tjerëve. Thirrja për protestë kolektive, drejtuar avokatëve, nuk përbën grevë në kuptimin e legjislacionit të punës dhe nuk pezullon detyrimet profesionale ndaj klientit dhe gjykatës. Pjesëmarrja në protestë mbetet zgjedhje e lirë dhe individuale. Liria për të protestuar përfshin edhe lirinë për të mos protestuar.

Në këtë kuadër, GJKKO vlerëson se mosparaqitja kolektive e avokatëve në seancat gjyqësore, kur bie ndesh me detyrimet profesionale të mbrojtjes dhe pengon garantimin e të drejtave të individit, përbën një formë proteste që, në rrethanat konkrete, nuk pajtohet me kërkesat e ligjshmërisë dhe proporcionalitetit, veçanërisht në procedurat që prekin lirinë personale. Ky vlerësim lidhet me mjetin e përdorur dhe pasojat e tij, pa cenuar të drejtën e avokatëve për të shprehur kundërshtimin në forma të tjera të ligjshme.

Sipas jurisprudencës kushtetuese të referuar në relacionin shoqërues, Dhoma e Avokatisë është një organizatë profesionale që qeveriset nga e drejta publike, ndërsa profesioni i avokatit kontribuon në realizimin e një qëllimi publik dhe në ofrimin e një shërbimi të domosdoshëm për administrimin e drejtësisë. Për këtë arsye, ushtrimi i të drejtave kolektive duhet të harmonizohet me përgjegjësitë që burojnë nga ky rol dhe me garantimin efektiv të së drejtës së mbrojtjes.

Rëndësia e vijimësisë së drejtësisë pasqyrohet edhe në ndalimin ligjor të grevës për magjistratët dhe në kufizimet e parashikuara për administratën e sistemit të drejtësisë. Ndonëse këto ndalime nuk zbatohen drejtpërdrejt ndaj avokatëve, ato dëshmojnë rëndësinë që ligjvënësi i ka dhënë funksionimit të pandërprerë të drejtësisë si shërbim publik thelbësor.

Gjykata ka marrë dhe do të vijojë të marrë masat që parashikon legjislacioni në fuqi për të garantuar mbrojtjen efektive dhe zhvillimin e gjykimeve brenda një afati të arsyeshëm. Krahas këtyre masave, ndërhyrja e propozuar synon të krijojë garanci më të qarta ligjore për të parandaluar përsëritjen e situatave që mund të pengojnë funksionimin e drejtësisë dhe të cenojnë të drejtat procedurale të individit.

Kërkesa shoqërohet me një relacion analitik të zgjeruar, i cili shqyrton legjislacionin shqiptar, jurisprudencën vendase dhe ndërkombëtare, si dhe praktikat krahasuese, në mbështetje të vlerësimit institucional të situatës dhe ndërhyrjeve të propozuara.

Video

Një lutje mes zemërimit dhe kaosit

Momenti kur protestuesit futen në Komisariatin nr. 2 në Tiranë

“Thirr ambulancën moreee”, gazetarët ndihmojnë policin e dëmtuar në protestë. Gazetarët Isa Myzyraj dhe Sara Demushi kanë lënë raportimin për disa minuta dhe i kanë ardhur në ndihmë policit, i cili gjendet i shtrirë në tokë.

Tiranë/ Protestuesit i vënë flakën një tjetër dyqani të Iute Credit në Rrugën e Elbasanit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme