Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Shkodrës, ku është vendosur një sasi tritoli në banesën e Ardian Bacinës, punonjës i Policisë së Kriminalistikës.
Ngjarja është regjistruar në lagjen Kiras, në zonën e njohur si ish-Poçeria.
Sipas informacioneve paraprake, shpërthimi ka shkaktuar dëme materiale në automjetin dhe derën e banesës së punonjësit të policisë.
Ende nuk dihen rrethanat në të cilat është vendosur lënda plasëse, ndërsa motivet e sulmit mbeten të paqarta.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe përcaktimin e motiveve që çuan në këtë sulm.






















