Opinion 16 October 2026, 19:54 Nga VNA

Elisa, mjaft me këtë maskaradë!

Ndaje në Whatsapp
Elisa, mjaft me këtë maskaradë!

Nga Muriel

Ka një çmim hipokrizie që shoqëria shqiptare nuk mund ta paguajë më.

Në anatominë e çdo pushteti që kalbet, vjen nevojshëm një moment grotesk: ata që e ushqyen monstruozitetin për tetë apo dhjetë vite, papritur “zbulojnë” se gjoja qytetarët paskan pasur të drejtë. Papritur shohin arrogancën, korrupsionin, klientelizmin dhe dërmimin e institucioneve. Flasin për ndërgjegje, për dinjitet, për ndryshim. Dhe me një pafytyrësi politike kërkojnë të na bindin se nuk ishin arkitektët e shkatërrimit, por thjesht viktima të tij.

Elisa Spiropali na ofron sot shembullin më ulëritës të këtij maskaradi politik.

Në letrën e saj “të revoltuar” drejtuar Edi Ramës, ajo flet për një sistem privilegjesh, për mungesë meritokracie, për monopolizim dhe për një pushtet që ka shtypur qytetarin. Fjalë të mëdha? Jo, lot krokodili. Sepse mes gjithë atyre rreshtave melodramatikë mungon vetëm një gjë elementalisht e ndershme: përgjegjësia e vetë Elisa Spiropalit.

Nga se po distancohet sot kjo ministre dhe Kryetare e Kuvendit? Nga cili sistem?

Spiropali nuk ka qenë një kalimtare e paanshme në korridoret e pushtetit. Ajo ka drejtuar Doganat, ka mbajtur poste kabineti dhe ka shërbyer si mburoja më agresive e çdo skandali të këtij regjimi. Ajo nuk e pa sistemin nga dritarja — ajo e ndërtoi atë, e mbrojti atë dhe u ushqye prej tij.

Por krimi i saj më i madh politik nuk ishte thjesht bashkëfajësia administrative, por helmi ideologjik: Spiropali ishte arkitektja kryesore e kultit të udhëheqësit. Ajo ishte ajo që e krahasoi Edi Ramën me Skënderbeun. Ajo i mveshi atij cilësi mbinatyrore dhe e mbrojti me një servilizm fanatik që fyejti inteligjencën e një kombi të tërë.

Dhe sot, po kjo politikane na shkruan për “rreziqet e përqendrimit të pushtetit te një individ”?!

Kush e ushqeu atë përqendrim? Kush e duartrokiti çdo arbitraritet? Kush e mbrojti çdo vjedhje? Kush e ngriti piedestalin ku sot po mbytet Shqipëria?

Nuk mund ta ngresh tirani-kult në piedestal për një dekadë me radhë dhe pastaj, kur sheh flakët në bulevard dhe protestuesit në rrugë, të pozosh si zëri i “ndërgjegjes kombëtare”. Kjo nuk është pendesë. Kjo është ikje e turpshme nga përgjegjësia, një përpjekje e fëlliqur për të larë duart si Ponti Pilat ndërsa anija po mbytet.

Dhe ja ku shpërthen absurdi më i madh i letrës:

Pasi numëron të gjitha plagët e vendit, Spiropali ulet përsëri në gjunjë. Ajo i rikthehet “idealizmit të dikurshëm” të Ramës, “intelektualizmit” të tij dhe shpall se “e mira brenda teje është më e madhe se gjithçka tjetër”.

Çfarë hipokrizie e pështirë!

Sistemi qenka i kalbur, por njeriu që e kalbi mbetet shpresa e vetme?! Pushteti qenka shkëputur nga njerëzit, por përgjegjësit kryesor i kërkohet të na prinë sërish drejt shpëtimit?! Ky është miti më i ndyrë i autoritarizmit: mbreti është i mirë, oborrtarët janë të këqij. Kjo nuk është kritikë. Kjo është lëpirje e kamufluar me kostumin e revoltës.

Por nëse fjalët e saj ju duken false, shikoni fjalën e saj më të vërtetë: votën.

Më 8 tetor, para kamerave, Spiropali pozonte si kritike e centralizimit të pushtetit dhe bindjes blind ndaj kryetarëve. Por çfarë bëri më 9 tetor në sallën e Kuvendit? Votoi me të dyja duart pro ligjit të kryetarit.

Ajo e tregoi me vepër se ku e ka guximin: guximin e ka te mikrofoni për të gënjyer qytetarët, ndërsa gishtin e ka te butoni për të zbatuar çdo urdhër të Edi Ramës.

Shqiptarët nuk mund të gënjehen më nga këto akte teatrore të minutës së fundit.

Kjo letër nuk është ndërgjegje; është një polisë sigurimi politik. Mjaftueshëm kritike për të mbrojtur karrigen nesër nëse regjimi rrëzohet, dhe mjaftueshëm lëpirëse për të mos e mërzitur shefin sot.

Boll më me lojëra oborri! Boll më me servilë që e zbutin autokracinë me poezi!

Nëse Elisa Spiropali beson vërtet te fjalët e saj, provën nuk e jep me një letër dashurie për kryetarin. Provën e jep duke dorëzuar sot mandatin, duke dhënë dorëheqjen nga Kuvendi dhe duke dalë përballë sistemit që vetë e ngriti.

Demokracia dhe dinjiteti i këtij vendi nuk rikuperohen kur një servile lejon veten të thotë dy fjalë kritike për shefin. Ato rikuperohen vetëm atëherë kur ne, qytetarët e këtij vendi, refuzojmë të hamë sapunin për djathë. Refuzojmë të falim bashkëfajëtorët. Dhe kërkojmë llogari pa asnjë kompromis!

Nuk mjafton ta zbresësh Edi Ramën nga piedestali ku e ke ngritur vetë, Elisa. Duhet të mbash përgjegjësi pse e ngrite atje dhe pse e shkatërrove këtë vend.

Çdo rebelim që ndalet te dera e kryetarit nuk është gjë tjetër veçse forma më e pështirë e nënshtrimit! Refuzojeni!

Video

Vetëm 5 ditë në detyrë, shkarkohet zëdhënësja e Trump

Bashkë me fëmijën përballë të gjithëve

Protestuesit largojnë me forcë deputetin Klevis Balliu nga protesta

Pas disa orësh përplasje, studentët protestues përqafohen me efektivët e policisë

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme