
Vala e protestave të studentëve dhe gjimnazistëve, që prej disa ditësh ka përfshirë qytete të ndryshme të Shqipërisë, është shtrirë këtë të premte edhe në Lezhë, ku një grup nxënësish kanë vendosur të bojkotojnë mësimin dhe të dalin në protestë.
Në mesin e të rinjve që i janë bashkuar tubimit janë kryesisht nxënës të gjimnazit “Hydajet Lezha”, të cilët kanë lënë klasat për të protestuar në rrugët e qytetit, në kuadër të mobilizimit të të rinjve që po zhvillohet në vend.
Ndërkohë, autoritetet kanë marrë masa të shtuara sigurie. Forca të shumta policie janë vendosur në pika të ndryshme të qytetit, ndërsa disa prej institucioneve kryesore janë rrethuar nga efektivët e rendit.
Protesta në Lezhë vjen pas tubimeve të zhvilluara në Tiranë dhe qytete të tjera, ku nxënës dhe studentë kanë bojkotuar procesin mësimor për t'iu bashkuar protestave.
Lëvizja e të rinjve po merr një shtrirje më të gjerë gjeografike, ndërsa pjesëmarrja e gjimnazistëve tregon se protestat nuk po kufizohen vetëm te studentët e universiteteve.
Sinjale për vijimin e protestave ka edhe në Fier, ku policia është pozicionuar në sheshin kryesor të qytetit pas paralajmërimeve për një tubim. Sipas raportimeve, disa gjimnazistë janë paraqitur në shkollë pa çanta, ndërsa priten zhvillime të mëtejshme.






















