
Studentë, gjimnazistë dhe qytetarë janë rikthyer këtë të premte në rrugët e Tiranës, duke vijuar për të katërtën ditë radhazi protestat kundër qeverisë. Tubimi ka nisur me grumbullimin e pjesëmarrësve në qendër të kryeqytetit, nga ku ka filluar edhe marshimi.
Mes thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të rinjtë kanë vijuar mobilizimin e tyre, ndërsa ende nuk është bërë i ditur itinerari që do të ndjekë marshimi gjatë ditës.
Protestat, të cilat nisën në Tiranë, janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit, ku studentë dhe gjimnazistë kanë dalë në rrugë dhe në disa raste kanë bojkotuar mësimin për t'iu bashkuar lëvizjes.
Tri ditët e para të tubimeve janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes një pjese të protestuesve dhe forcave të policisë. Gjatë incidenteve janë hedhur sende të forta në drejtim të efektivëve dhe ndërtesave, ndërsa janë regjistruar edhe tentativa për t'u vënë flakën institucioneve publike.
Nga incidentet nuk kanë shpëtuar as disa biznese private, të cilat kanë pësuar dëme materiale. Megjithatë, këto episode nuk përfaqësojnë të gjithë pjesëmarrësit në protesta, mes të cilëve ka edhe shumë të rinj që kanë zgjedhur të shprehin pakënaqësinë e tyre në mënyrë paqësore.
Pavarësisht tensioneve dhe ndërhyrjeve të policisë gjatë ditëve të mëparshme, protestuesit kanë vendosur të vijojnë tubimet, duke e mbajtur të hapur përballjen me qeverinë dhe kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit.






















