Kronika 17 October 2026, 12:36 Nga VNA

Tirana në protestë, Rama të hënën në Vjenë me nderime ushtarake: Mediat austriake shkruajnë për krizën në Shqipëri

Ndaje në Whatsapp

Tirana në protestë, Rama të hënën në Vjenë me

Ndërsa Tirana prej pesë ditësh përballet me protesta, përplasje mes të rinjve dhe policisë dhe kërkesa për dorëheqjen e qeverisë, kryeministri Edi Rama pritet të udhëtojë të hënën, më 19 tetor, drejt Vjenës, ku do të pritet me nderime ushtarake nga kancelari austriak Christian Stocker. Vizita është konfirmuar zyrtarisht nga Kancelaria Federale e Austrisë, ndërsa mediat vendase po i kushtojnë vëmendje kontrastit mes situatës së tensionuar në Shqipëri dhe pritjes diplomatike që e pret Ramën në kryeqytetin austriak.

Sipas njoftimit zyrtar të publikuar më 15 tetor, kryeministri shqiptar do të mbërrijë në orën 12:00 në Ballhausplatz, ku është parashikuar ceremonia e pritjes me nderime ushtarake dhe takimi me kancelarin Stocker.

Media austriake Exxtra24 e ka trajtuar vizitën me titullin “Shqipëria digjet, por Rama udhëton drejt Vjenës për t’u takuar me kancelarin Stocker”. Artikulli i publikuar më 16 tetor përshkruan situatën e tensionuar në Tiranë, protestat studentore dhe pakënaqësinë në rritje ndaj qeverisë, duke vënë përballë dy pamje krejtësisht të ndryshme: qytetarët që protestojnë në Shqipëri dhe kryeministrin që përgatitet të pritet me ceremoni zyrtare në Austri.

Në artikull përmenden edhe mundësitë e organizimit të protestave nga diaspora shqiptare në Vjenë kundër Ramës dhe ambasadorit shqiptar në Austri, Fate Velaj. Sipas Exxtra24, ndaj veprimtarisë së ambasadorit janë ngritur pyetje parlamentare dhe kërkesa për informacion lidhur me aktivitetin diplomatik, formimin profesional dhe konfliktet e mundshme të interesit. Këto kërkesa nuk përbëjnë prova për shkelje nga ana e ambasadorit.

Edhe televizioni publik austriak ORF, në edicionin informativ ZIB 2 të 16 tetorit, i ka kushtuar një kronikë protestave në Shqipëri, duke raportuar për pakënaqësinë e të rinjve, korrupsionin e pretenduar, mungesën e perspektivës dhe përshkallëzimin e dhunës gjatë ditëve të fundit.

Vizita e Ramës zhvillohet në një moment kur protestat në Shqipëri kanë marrë vëmendje ndërkombëtare. Prej ditësh, të rinjtë kërkojnë largimin e kryeministrit, ndërsa përplasjet me policinë, dëmtimi i institucioneve dhe bizneseve kanë krijuar një situatë të rënduar në kryeqytet.

Austria është një prej partnerëve ekonomikë dhe politikë të Shqipërisë dhe mbështet procesin e integrimit europian të vendit. Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur nëse kriza politike dhe protestat në Shqipëri do të jenë pjesë e bisedimeve mes Ramës dhe kancelarit Stocker.

Të hënën, ndërsa në Tiranë mbetet e hapur pyetja se si do të vijojë protesta, kryeministri shqiptar do të jetë në Vjenë, ku e pret një ceremoni zyrtare me nderime ushtarake.

Lexo gjithashtu

Video

Digjet dega e OTP Bank në Myslym Shyr

Protestuesit i vënë flakën Gjykatës së Lartë

Zjarri nga Gjykata e Lartë ka kaluar dhe në një nga dyqanet që është pranë saj në rrugën Myslym Shyri

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme