Protestuesit janë mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, në ditën e pestë të protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë, forcat e policisë janë rreshtuar përpara godinës së institucionit, ndërsa në gatishmëri janë vendosur edhe autobotët me ujë.
Pjesëmarrësit kanë mbërritur pranë ministrisë pas marshimit në rrugët e kryeqytetit, ndërsa policia ka shtuar masat e sigurisë për të parandaluar incidente të mundshme.
Vendosja e autobotëve dhe efektivëve përpara institucionit vjen pas përplasjeve të regjistruara gjatë protestave të ditëve të mëparshme, ku policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e demonstruesve.
Protestat, të cilat kanë hyrë në ditën e pestë, janë shoqëruar me tensione, persona të lënduar dhe dëmtime të pronës publike e private.






















