
Qytetarë dhe intelektualë të Vlorës janë mbledhur sërish këtë të shtunë në protestë kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik, pavarësisht vendimit të gjykatës për pezullimin e punimeve. Protestuesit kërkojnë anulimin përfundimtar të projektit, duke e konsideruar të pamjaftueshme vetëm ndërprerjen e përkohshme të ndërtimeve.
Protesta e sotme vjen një ditë pasi Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Lushnjë vendosi pezullimin e punimeve për ndërtimin e muzeut pranë ish-Klubit Patriotik “Labëria”, një objekt me rëndësi për trashëgiminë historike të qytetit.
Megjithëse vendimi gjyqësor ka ndaluar vijimin e punimeve, kundërshtarët e projektit këmbëngulin se kërkesa e tyre mbetet anulimi i plotë i ndërhyrjes së planifikuar në këtë hapësirë.
Kjo është një tjetër protestë në vazhdën e kundërshtimeve që kanë shoqëruar projektin për ndërtimin e muzeut në Vlorë. Qytetarët kanë paralajmëruar se tubimet do të vijojnë deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.






















