
Protesta e të rinjve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë është shoqëruar me tensione, pasi disa protestues u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave, duke përshkallëzuar situatën gjatë tubimit kundër qeverisë.
Një tjetër veprim simbolik ka tërhequr vëmendjen gjatë protestës, ku të rinjtë kanë djegur një valixhe për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj emigrimit dhe largimit të vazhdueshëm të shqiptarëve nga vendi.
Në shenjë ironie, protestuesit e kanë cilësuar Ministrinë e Arsimit si “Ministria e Emigrimit”, duke e lidhur këtë emërtim me mungesën e perspektivës për të rinjtë dhe vështirësitë që, sipas tyre, i shtyjnë të kërkojnë një të ardhme jashtë Shqipërisë.
Djegia e valixhes është përdorur si simbol i largimit nga vendi, ndërsa protestuesit kanë shprehur pakënaqësinë ndaj politikave të qeverisë dhe kushteve që, sipas tyre, po nxisin emigrimin e brezit të ri.
Protestat kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij vijojnë prej pesë ditësh në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit. Në tubime janë përfshirë gjimnazistë dhe studentë, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe largimin e qeverisë.






















