
Protestat e të rinjve kundër qeverisë kanë vijuar edhe këtë të shtunë në disa qytete të vendit. Durrësi, Korça dhe Elbasani janë përfshirë sërish nga tubimet, ku protestuesit kanë marshuar në rrugët kryesore, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ndërsa në disa qytete protestat kanë qenë paqësore, në të tjera janë shënuar tensione, dëmtime të pronës publike dhe ndërhyrje të Policisë.
Në Durrës, protesta është shoqëruar me arrestime dhe incidente. Disa persona janë arrestuar gjatë tubimeve që vijojnë prej ditësh në qytetin bregdetar. Studentë dhe të rinj kanë marshuar në rrugët kryesore, ndërsa gjatë protestës janë djegur kosha mbeturinash dhe janë dëmtuar tabela të sinjalistikës rrugore.
Tensionet pasojnë protestën e së premtes përpara Drejtorisë së Policisë në Durrës, ku të rinjtë kërkuan lirimin e shokëve të tyre të shoqëruar në komisariat. Protestuesit u janë drejtuar edhe efektivëve të Policisë, duke u bërë thirrje të heqin uniformat dhe t'u bashkohen tubimeve. Sipas tyre, qeveria, të cilën e akuzojnë për korrupsion, po i vendos punonjësit e Policisë përballë fëmijëve të tyre.
Në Korçë, protesta ka vijuar me marshime dhe thirrje për dorëheqjen e qeverisë. Të rinjtë janë mbledhur fillimisht pranë monumentit të “Ushtarit të Panjohur”, për të vijuar më pas përgjatë pedonales dhe rrugëve kryesore të qytetit.
“Bashkohuni me ne” dhe “Edi Rama, jep dorëheqjen” kanë qenë disa prej thirrjeve të protestuesve, ndërsa Policia ka shtuar praninë pranë institucioneve për të parandaluar incidente të mundshme.
Një moment i veçantë gjatë marshimit ishte mbështetja e shprehur nga një mësues gjimnazi, i cili u ndal për të inkurajuar të rinjtë që të ngrinin zërin për shqetësimet e tyre. Ai u bëri thirrje të shmangnin dhunën dhe të vijonin protestën në mënyrë paqësore, duke theksuar rëndësinë e qytetarisë dhe përgjegjësisë.
Në Elbasan, protesta e të rinjve është përshkallëzuar në incidente, megjithëse pjesëmarrja ka mbetur e ulët. Tubimi, që zhvillohet për të tretën ditë radhazi, nisi i qetë nga sheshi kryesor i qytetit, ku një grup protestuesish marshuan përgjatë bulevardit me thirrje kundër qeverisë.
Gjatë marshimit, disa protestues kanë shkulur tabela të sinjalistikës rrugore dhe kanë djegur kosha mbeturinash, duke shkaktuar tensione.
Të rinjtë u kanë bërë thirrje edhe qytetarëve të ulur në lokalet përgjatë bulevardit që t'u bashkohen. “Çohuni nga kafenetë, bashkohuni me ne!”, kanë brohoritur ata, në përpjekje për të zgjeruar pjesëmarrjen.
Pavarësisht mobilizimit, numri i protestuesve në Elbasan ka mbetur i kufizuar.
Protestat në këto tri qytete janë pjesë e valës së tubimeve të të rinjve kundër qeverisë, që po vijon prej disa ditësh. Krahas kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, zhvillimet e fundit kanë nxjerrë në pah edhe tensionet mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa thirrjet për pjesëmarrje më të gjerë vazhdojnë.






















