
Ambasada e Zvicrës në Tiranë ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke shprehur shqetësim për përshkallëzimin e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private gjatë demonstratave.
Përmes një deklarate publike, përfaqësia diplomatike zvicerane u ka bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje, të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe t'i japin përparësi dialogut konstruktiv për zgjidhjen e situatës.
Në reagim, ambasada thekson se e drejta për tubim paqësor përbën një nga të drejtat themelore të një shoqërie demokratike dhe se autoritetet shqiptare kanë përgjegjësinë për ta garantuar dhe mbrojtur atë.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe lirisë së medias, për të cilën përfaqësia diplomatike kërkon respektim dhe mbrojtje të plotë gjatë protestave.
Ambasada e Zvicrës u është drejtuar gjithashtu forcave të sigurisë, duke u kërkuar që veprimet e tyre gjatë menaxhimit të demonstratave të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Në deklaratën e saj, përfaqësia diplomatike shpreh shqetësimin për incidentet e dhunshme dhe shkatërrimin e pronës, ndërsa nënvizon nevojën që të gjitha palët të shmangin veprimet që mund të përkeqësojnë situatën.
Mesazhi i ambasadës vjen në një kohë kur protestat në Shqipëri janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes demonstruesve dhe forcave të policisë.






















