Studentët nuk janë tërhequr nga protesta para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, pavarësisht ndërhyrjes së forcave të policisë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Situata është tensionuar këtë të martë, kur efektivët kanë ndërhyrë për të larguar protestuesit, por janë përballur me rezistencën e të rinjve, të cilët kanë vijuar qëndrimin e tyre përpara institucionit.
Sipas pamjeve të publikuara nga vendngjarja, studentët kanë arritur të zmbrapsin përkohësisht efektivët e policisë, duke mos lejuar shpërndarjen e plotë të protestës.
Tensionet kanë vijuar edhe pas përdorimit të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, ndërsa protestuesit kanë vazhduar thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Protestës së studentëve, e cila ka hyrë në ditën e tetë, këtë të martë i janë bashkuar edhe pedagogët. Ata fillimisht janë mbledhur pranë Universitetit Politeknik, më pas kanë protestuar përpara Kryeministrisë, për të vijuar marshimin drejt Ministrisë së Arsimit.






















