Gresë J. Krasniqi, vajza e Jakup Krasniqit, ka njoftuar se babai i saj ka vendosur të refuzojë çdo kujdes mjekësor në Hagë, duke shprehur pakënaqësinë ndaj trajtimit që pretendon se i është bërë gjatë gjashtë viteve të fundit.
Përmes një reagimi në Facebook, ajo ka treguar se gjatë një bisede telefonike, i ati e ka informuar për vendimin e tij, duke thënë se ndihet i privuar nga të drejtat themelore njerëzore.
“Erdhën disa doktorë për të më kontrolluar, natyrisht që i refuzova. Jam këtu pa të drejtë, më është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet, prandaj nuk më duhet as kujdesi i tyre. Ju të jeni të informuar se unë nuk do të pranoj më asnjë kujdes nga ana e tyre”, ka cituar ajo fjalët e babait.
Gresë Krasniqi ka shprehur shqetësimin për këtë vendim, duke theksuar se mosha e të atit kërkon përkujdesje të veçantë shëndetësore.
“Si bijë, natyrisht që u shqetësova. Babi është në një moshë kur ka nevojë për kujdes të veçantë”, ka shkruar ajo.
Duke iu referuar dënimit me 25 vjet burgim, për të cilin thotë se është shqiptuar një muaj më parë, ajo ka shprehur vështirësinë për ta bindur babain të pranojë kujdesin e institucioneve ndaj të cilave ka humbur besimin.
“Si mund t’i kërkoj të pranojë kujdesin e atyre institucioneve, kur ai ndihet i tradhtuar pikërisht nga drejtësia që duhej ta mbronte?”, ka deklaruar Krasniqi.
Ajo ka treguar se, përballë vendimit të të atit, ka mundur vetëm t’i shprehë mbështetjen dhe dëshirën e familjes që ai të mbetet i shëndetshëm.
“Ne jemi këtu, Babi. Të duam të fortë, të duam të shëndetshëm”, ka shkruar ajo.
Në përfundim, Gresë Krasniqi e ka cilësuar dënimin e babait të saj si padrejtësi.
“Dënimi i Babit nuk është një gabim që pret të korrigjohet. Është një padrejtësi!”, ka përfunduar ajo.






















