
Bedri Hamza ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës. Vendimin e ka bërë publik këtë të mërkurë, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë.
Hamza deklaroi se largimi i tij i hap rrugë një procesi të ri zgjedhor brenda PDK-së, ku anëtarët do të vendosin për drejtuesin e ardhshëm. Ai theksoi se është koha për një fazë të re dhe për përfshirjen më të madhe të të rinjve në drejtimin e partisë.
“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike”, u shpreh Hamza, duke konfirmuar se do të vijojë të jetë pjesë e kësaj force politike.
Gjatë deklaratës, ai u ndal edhe te procesi gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë, duke shprehur pakënaqësinë e tij dhe duke theksuar se përpjekjet për drejtësi do të vazhdojnë.
Hamza kishte marrë drejtimin e PDK-së në nëntor të vitit 2025, pas dorëheqjes së Memli Krasniqit.






















