Protestuesit janë mbledhur sërish mbrëmjen e kësaj të mërkure në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në një veprim simbolik, disa prej tyre i kanë vënë flakën një karrigeje, si përgjigje ndaj ftesave të përsëritura të kryeministrit për dialog me studentët.
Rreth orës 19:00, numri i protestuesve në bulevard është rritur, ndërsa policia ka bërë disa herë thirrje për shmangien e dhunës dhe ruajtjen e qetësisë.
Deri në këto momente janë regjistruar incidente të kufizuara. Disa të rinj kanë qëlluar me gurë në drejtim të Kryeministrisë, ndërsa automjeti ujëhedhës i policisë ka ndërhyrë dy-tri herë duke hedhur ujë ndaj protestuesve.
Më herët gjatë paradites, përpara Kryeministrisë ishin mbledhur studentë dhe pedagogë, ndërsa Edi Rama kishte përsëritur ftesën e tij për dialog.
Protesta vijon, ndërsa situata në bulevard mbetet e tensionuar.






















