Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka vendosur ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Vendimi vjen pas kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ishte edhe sponsorizuese e ligjit.
Sipas njoftimit të Presidencës, presidentja i ka dhënë Kuvendit mundësinë të rishqyrtojë veçanërisht dispozitat që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë.
Në arsyetimin e vendimit, Shiroka Pula ka vlerësuar sakrificën dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të krerëve të saj në luftën për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Ajo ka rikujtuar gjithashtu mbështetjen për Deklaratën e Kuvendit të Kosovës të 28 shtatorit 2026, lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Presidentja ka ritheksuar kundërshtimin ndaj çdo përpjekjeje për të shtrembëruar të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim karakterin çlirimtar të luftës apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë.
Në njoftimin e Presidencës bëhet e ditur se Shiroka Pula ka zhvilluar dhe po vazhdon konsultimet me përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve përkatëse shtetërore, me synimin për të bashkërenduar veprimet institucionale dhe diplomatike për dokumentimin dhe mbrojtjen e së vërtetës historike të Luftës Çlirimtare të Kosovës, si dhe për afirmimin e rolit të UÇK-së.
Konsultimet, sipas Presidencës, synojnë gjithashtu të kontribuojnë në mbrojtjen sa më të mirë të të drejtave dhe interesave të krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.






















