Një gjykatë amerikane ka urdhëruar presidentin Donald Trump të paraqitet për të dhënë dëshmi nën betim në kuadër të padisë për shpifje që ai ka ngritur kundër BBC-së, përmes së cilës kërkon 10 miliardë dollarë dëmshpërblim.
Sipas BBC-së, gjykatësja federale Enjoliqué Lett ka vendosur që Trump duhet të merret në pyetje nga avokatët e palës kundërshtare jo më vonë se 11 dhjetori, përveç rastit kur afati i mbledhjes së provave shtyhet.
Padia lidhet me një dokumentar të emisionit investigativ Panorama, në të cilin BBC kishte bashkuar dy pjesë të ndryshme të një fjalimi të Trumpit, të mbajtur më 6 janar 2021, përpara sulmit ndaj Kapitolit amerikan.
Presidenti amerikan e akuzon transmetuesin britanik se ka manipuluar qëllimisht dhe në mënyrë mashtruese deklaratat e tij, duke krijuar një përshtypje të gabuar për rolin e tij në ngjarjet e asaj dite.
BBC ka kërkuar falje për montazhin, duke pranuar se transmetimi krijonte përshtypjen e gabuar sikur Trump kishte bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për veprime të dhunshme. Megjithatë, transmetuesi britanik kundërshton akuzën për shpifje dhe ka kërkuar rrëzimin e padisë.
Gjatë seancës gjyqësore, avokati i BBC-së, Charles Tobin, deklaroi se pala e tij ende nuk kishte mundur të merrte në pyetje presidentin, megjithëse kishin mbetur vetëm dy muaj nga përfundimi i periudhës së mbledhjes së provave.
Trump kishte anuluar një seancë të mëparshme dëshmie, të planifikuar për 16 tetor, duke argumentuar se duhej të merrej me «çështje të rëndësisë kombëtare».
Por atë ditë, sipas BBC-së, presidenti mori pjesë në një tubim elektoral për zgjedhjet e mesmandatit në Dalton të Xhorxhias, si edhe në një aktivitet për mbledhje fondesh në pronën e tij Mar-a-Lago, në Florida.
Javën e kaluar, avokatët e BBC-së i kërkuan gjykatës ta detyronte Trumpin të paraqitej për të dhënë dëshminë.
Një tjetër pikë e rëndësishme e përplasjes gjyqësore lidhet me faktin nëse dokumentari ishte i disponueshëm për publikun amerikan.
BBC argumenton se programi nuk përmbush kriteret ligjore të shpifjes dhe se nuk ishte transmetuar në Shtetet e Bashkuara.
Në korrik, avokatët e Trumpit pranuan se nuk kishin prova që dokumentari ishte ofruar në SHBA përmes platformës BritBox, siç kishin pretenduar fillimisht, apo përmes faqes së BBC-së, BBC Select dhe transmetuesve amerikanë.
Ndërkohë, Trump ka pranuar të tërheqë padinë ndaj BBC Studios, degës tregtare të transmetuesit britanik, pasi kjo e fundit argumentoi se nuk kishte pasur asnjë rol në krijimin apo prodhimin e dokumentarit.
Çështja mbetet e hapur dhe vendimi i fundit i gjykatës e detyron presidentin amerikan të përballet me pyetjet e avokatëve të BBC-së në procesin që ai vetë ka nisur kundër transmetuesit britanik.






















