Italia po forcon masat e sigurisë në Milano pas protestave të dhunshme të fundjavës, ndërsa autoritetet përgatiten për mobilizime të reja të shtunën. Qeveria ka miratuar dërgimin e 500 ushtarëve shtesë në qytet, ndërsa policia dhe autoritetet vendore kanë hartuar një plan për parandalimin e përplasjeve.
Sipas agjencisë italiane ANSA dhe Euronews, gjatë ditës së sotme në Prefekturën e Milanos është zhvilluar një mbledhje e posaçme për rendin dhe sigurinë publike, me pjesëmarrjen e ministrit të Brendshëm Matteo Piantedosi, shefit të Policisë Vittorio Pisani, kryebashkiakut Giuseppe Sala dhe drejtuesve të institucioneve të sigurisë.
Piantedosi konfirmoi se 500 ushtarët që do të vendosen në Milano do të kenë lëvizshmëri më të madhe në territor, në kuadër të operacionit ekzistues të sigurisë “Strade Sicure”. Ndërkohë, policia bashkiake do të angazhojë deri në 300 efektivë dhe do të vërë në dispozicion dronë për mbikëqyrjen e situatës.
Një nga deklaratat më të rëndësishme të ministrit të Brendshëm lidhej me pretendimet për ndikime të huaja në protestat e ditëve të fundit.
“Objektivisht, ende nuk ka asnjë provë për lidhje me Francën dhe Rusinë”, deklaroi Piantedosi, duke iu referuar dyshimeve të ngritura për një organizim të jashtëm të trazirave.
Deklarata vjen pas diskutimeve brenda mazhorancës italiane mbi mundësinë e ndërhyrjeve të huaja dhe përdorimit të rrjeteve sociale për nxitjen e dhunës.
Kryebashkiaku Giuseppe Sala mbajti një qëndrim të ashpër, duke deklaruar se në këtë fazë përparësi duhet të kenë kontrolli dhe goditja e akteve të dhunshme. Ai mbështeti vendosjen e forcave shtesë të sigurisë dhe kërkoi përgjegjësi edhe nga prindërit e të miturve që kanë marrë pjesë në shkatërrimin e pronës.
Sipas të dhënave të bëra publike, mes 343 personave të ndaluar pas trazirave të fundjavës, një pjesë e madhe janë të mitur. Mes personave të identifikuar është edhe një fëmijë 11-vjeçar.
Ndërkohë, presidenti italian Sergio Mattarella ndërhyri sot në debatin për protestat dhe marrëdhënien e institucioneve me brezin e ri.
Ai deklaroi se shoqëria nuk mund t’i trajtojë të rinjtë me indiferencë apo, edhe më keq, me nënvlerësim meskin, duke e cilësuar të ardhmen e tyre një çështje të madhe sociale dhe përparësi për institucionet.
Masat e sigurisë pasojnë miratimin nga qeveria Meloni të një dekreti të ri, i cili ashpërson përgjegjësinë për pjesëmarrjen e dhunshme në protesta dhe parashikon masa të reja për të miturit dhe prindërit e tyre.
Autoritetet italiane po përgatiten për fundjavën e ardhshme, kur priten mobilizime të tjera në Milano dhe qytete të Lombardisë.






















