Në një analizë të botuar më 21 tetor në gazetën italiane La Repubblica, sociologu dhe ish-senatori Luigi Manconi shqyrton shkaqet e zemërimit të të rinjve që ka shpërthyer në rrugët e Milanos dhe Torinos. Përmes ndryshimeve demografike, ai shpjegon se si plakja e popullsisë, pabarazia mes brezave dhe humbja e besimit tek e ardhmja po krijojnë një konflikt të ri shoqëror.
Në vitin 1968, të rinjtë nën moshën 24 vjeç përbënin 41.5% të popullsisë italiane. Sot ata përfaqësojnë vetëm 21.7%. Ndërkohë, të moshuarit mbi 65 vjeç, që në vitet ’60 dhe ’70 përbënin 12.1% të popullsisë, sot janë më shumë se dyfishuar, duke kaluar 25%.
Pas këtyre shifrave qëndron një ndryshim i thellë i shoqërisë italiane dhe ndoshta një nga shpjegimet më të rëndësishme të zemërimit të të rinjve që ditët e fundit ka shpërthyer në rrugët e Milanos dhe Torinos.
Italia është kthyer në një vend për të moshuarit. Jo thjesht sepse popullsia po plaket, por sepse bashkë me moshën ka ndryshuar edhe shpërndarja e pushtetit ekonomik, politik, kulturor dhe elektoral. Të rinjtë janë bërë pakicë dhe, bashkë me numrin e tyre, është zvogëluar edhe ndikimi që kanë në vendimet që përcaktojnë të ardhmen.
Më 15 mars 1968, gazetari francez Pierre Viansson-Ponté botoi në Le Monde një artikull ku e përshkruante rininë franceze si të mpirë, apatike, të mërzitur dhe të zhytur në një lloj letargjie shoqërore.
Vetëm një muaj e gjysmë më vonë, qindra studentë dhe policë do të përplaseshin dhunshëm në Universitetin e Sorbonës, duke i hapur rrugën revoltës së majit 1968, një prej lëvizjeve më të mëdha shoqërore dhe politike të Europës moderne.
Ai artikull mbeti një kujtesë e hidhur për mënyrën se si mund të gabojë gazetaria kur nxjerr përfundime të nxituara për një brez, pa kuptuar çfarë po ndodh brenda tij.
Sociologu Émile Durkheim thoshte se, për të kuptuar një shoqëri, duhej të dëgjoje mamitë dhe varrmihësit. Me këtë donte të theksonte rëndësinë e demografisë, të lindjeve dhe vdekjeve, por mbi të gjitha të përbërjes së popullsisë sipas moshës.
Sepse një vend i ri dhe një vend i plakur nuk kanë vetëm statistika të ndryshme. Kanë marrëdhënie të ndryshme me të ardhmen.
Lëvizjet e mëdha kolektive të fundit të viteve ’60 dhe fillimit të viteve ’70 lindën në një shoqëri krejt tjetër nga ajo e sotmja. Italia kishte përjetuar mrekullinë ekonomike, konsumi rritej me shpejtësi, universitetet po hapeshin për shtresa gjithnjë e më të gjera dhe arsimi po kthehej në një mundësi reale për lëvizje shoqërore.
Edhe djali i një punëtori mund të ëndërronte të bëhej mjek, profesor apo inxhinier. Ishte një kohë kur brezat e rinj kishin arsye të besonin se do të jetonin më mirë se prindërit e tyre.
Të rinjtë e asaj kohe ishin aq optimistë, sa besonin se mund ta ndryshonin botën. Dhe nuk ishte thjesht naivitet rinor. Ishte një bindje që mbështetej në zhvillimin ekonomik dhe në mundësitë që po hapeshin përpara tyre.
Sot, gjysmë shekulli më vonë, kjo marrëdhënie me të ardhmen është përmbysur.
Universitetet janë bërë më selektive dhe mundësitë për të studiuar ndikohen gjithnjë e më shumë nga gjendja ekonomike e familjes. Strehimi është kthyer në një pengesë serioze për pavarësinë e të rinjve, ndërsa siguria ekonomike që dikur dukej e arritshme është zëvendësuar nga pasiguria.
Por ndryshimi më i madh është demografik.
Në një vend ku mbi 65-vjeçarët përbëjnë më shumë se një të katërtën e popullsisë, ndërsa të rinjtë nën 24 vjeç janë më pak se 22%, edhe raportet e forcës politike kanë ndryshuar.
Të moshuarit kanë një peshë shumë më të madhe elektorale dhe, për pasojë, politika priret të mbrojë më fort interesat e tyre. Një pjesë e madhe e burimeve publike shkon për pensionet dhe mbrojtjen sociale, ndërsa arsimi, formimi profesional dhe strehimi i brezave të rinj përballen me kufizime.
Kjo nuk do të thotë se pensionet janë një privilegj i padrejtë. Përkundrazi, ato janë një nga shtyllat e kohezionit social. Por problemi lind kur mbrojtja e brezave të mëdhenj nuk shoqërohet me investimin e nevojshëm për ata që duhet të ndërtojnë jetën e tyre.
Një shoqëri mund të arrijë të garantojë sigurinë ekonomike të atyre që kanë përfunduar jetën aktive, ndërkohë që nuk arrin t’u krijojë mundësi të mjaftueshme atyre që sapo po e nisin.
Kështu lind një konflikt i ri, një luftë klasash mes brezave, ku ndarja nuk bëhet vetëm sipas pasurisë apo pozitës shoqërore, por edhe sipas moshës.
Në njërën anë qëndron një brez që ka fituar të drejta, siguri dhe përfaqësim. Në anën tjetër, një brez gjithnjë e më i vogël në numër, që duhet të përballojë kostot e një shoqërie të plakur, pa pasur të njëjtën mundësi për të ndikuar në vendimmarrje.
Kjo ndihmon të kuptohet pse të rinjtë italianë, ashtu si shumë bashkëmoshatarë të tyre në vende të tjera europiane, përballen me varfëri, pasiguri dhe një ndjenjë të thellë zhgënjimi.
Për të rinjtë e viteve ’60, ndryshimi i botës dukej i mundur. Për adoleshentët e sotëm, kjo perspektivë është shumë më pak e besueshme.
Ata nuk janë më të bindur se mund ta ndryshojnë botën. Përkundrazi, shumë prej tyre kanë frikë se bota mund të shembet mbi ta.
Dhe kur një brez ndien se i është marrë gjithçka, duke filluar nga e ardhmja, mund të arrijë në përfundimin se nuk ka më asgjë për të humbur.
Këtu mund të kërkohet edhe një pjesë e shpjegimit të veprimeve shkatërruese dhe nihiliste që kanë shoqëruar protestat e fundit në Milano dhe Torino.
Të rinjtë që përfshihen në këto përplasje përshkruhen shpesh si rebelë pa kauzë. Por kauza ekziston. Madje mund të jetë aq e madhe dhe aq ekzistenciale, sa nuk mund të shprehet përmes kërkesave tradicionale të politikës.
Nuk bëhet fjalë domosdoshmërisht për një ligj që duhet ndryshuar, një ministër që duhet të largohet apo një reformë që duhet miratuar.
Bëhet fjalë për frikën se nuk do të kenë një jetë më të mirë se prindërit. Për ndjesinë se gjithçka është vendosur për ta, përpara se ata të kenë mundësinë të vendosin vetë.
Për këtë arsye, zemërimi i tyre nuk mund të kuptohet plotësisht vetëm me instrumentet tradicionale të analizës politike apo sociologjike.
Një tjetër element i pazakontë i protestave është mosha gjithnjë e më e re e pjesëmarrësve.
Italia nuk kishte parë më parë një mobilizim kolektiv kaq të hershëm të adoleshentëve dhe madje të fëmijëve në prag të adoleshencës.
Ata mësojnë më herët, përpunojnë më herët informacionin, mendojnë më herët dhe dalin në rrugë më herët.
Ndoshta sepse pikërisht në atë moshë të re, kur jeta duket ende e qartë dhe e vërteta nuk është mbuluar nga kompromiset, ndjenja se ke të drejtë është më e fortë se kurrë.
Albert Camus e konsideronte pikërisht këtë ndjenjë si një nga burimet themelore të revoltës.
Por të kuptosh arsyet e zemërimit nuk do të thotë të justifikosh dhunën.
Përplasjet që terrorizojnë qytetarët, shkatërrojnë qytetet dhe shkaktojnë plagosje nuk mund të pranohen si një formë legjitime e shprehjes së pakënaqësisë. Dhuna dëmton edhe vetë kauzën e atyre që protestojnë.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka kërkuar që opozita të mos mbajë qëndrime të dykuptimta për aktet e dhunës. Kjo kërkesë për një qëndrim të qartë kundër dhunës është pjesë e debatit që ka shoqëruar protestat.
Dhuna duhet refuzuar, parandaluar dhe, kur është e nevojshme, ndalur përmes ndërhyrjes së ligjshme të institucioneve.
Por pasi të jenë dënuar aktet e dhunshme, pasi të jenë identifikuar autorët dhe pasi të jenë rikthyer rendi dhe siguria, mbetet një problem shumë më i madh.
Çfarë do të bëhet me ata të rinj që ndihen të përjashtuar nga e ardhmja?
Çfarë mund t’u ofrojë shoqëria vajzave dhe djemve për të cilët e vetmja perspektivë duket të jetë një jetë e përcaktuar nga cikli i prodhimit dhe konsumit?
Sepse mund të ndalosh një protestë, mund të arrestosh autorët e dhunës dhe mund të pastrosh rrugët nga gjurmët e përplasjeve. Por asnjëra prej këtyre masave nuk e zgjidh krizën e një brezi që nuk sheh më mundësi përpara vetes.
Dhe një shoqëri që kërkon vazhdimisht t’u shpjegojë të rinjve si duhet të protestojnë, por nuk arrin t’u tregojë si mund të ndërtojnë të ardhmen, rrezikon të mos kuptojë arsyen përse ata kanë dalë në rrugë.
Sepse problemi nuk është vetëm çfarë bëjnë të rinjtë kur zemërohen. Është edhe çfarë ka bërë shoqëria me të ardhmen e tyre, përpara se ata të zemëroheshin.






















