Milano, 18 tetor 2026 – Pas përplasjeve të dhunshme që përfshinë dje qendrën e Milanos, tensionet janë rikthyer edhe këtë të diel në sheshin Duomo. Grupe të rinjsh kanë hedhur kapsolla në drejtim të policisë, ndërsa forcat e rendit kanë shtuar praninë në zonë.
Sipas gazetës italiane La Repubblica, që prej mëngjesit në rrjetet sociale kanë qarkulluar thirrje për një tjetër grumbullim në sheshin Duomo, pas trazirave të së shtunës, të cilat lanë të plagosur mes protestuesve dhe forcave të rendit dhe sollën shoqërimet e para, kryesisht të të rinjve.
Policia italiane ka vendosur automjete patrullimi, njësi të specializuara dhe mjete me ujë me presion, ndërsa agjentët e Digos ndalojnë dhe identifikojnë grupet e të rinjve që mbërrijnë në shesh.
Megjithatë, sipas raportimit, mënyra e veprimit të grupeve ka ndryshuar. Të rinjtë hyjnë në shesh, hedhin kapsolla dhe largohen me shpejtësi drejt rrugës Torino dhe sheshit Mercanti për t’iu shmangur identifikimit. Më pas, duke kaluar pas portikëve, rikthehen sërish në zonë.
Situata në Milano mbetet e tensionuar, ndërsa autoritetet përpiqen të shmangin përsëritjen e përplasjeve të një dite më parë.
Burimi: La Repubblica, Carmine R. Guarino, 18 tetor 2026, ora 16:23.






















