Dita e gjashtë e protestës në Tiranë u shoqërua me përplasje të forta dhe incidente në disa zona të kryeqytetit. Protesta nisi nga Ministria e Arsimit, vazhdoi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë ministrive dhe Kryeministrisë, për t’u shpërndarë më pas në disa rrugë të qytetit.
Kryeministria këtë herë ishte e rrethuar dhe e mbrojtur fort nga forcat speciale të policisë. Protestuesit tentuan t’i afroheshin godinës, por kordoni i sigurisë pengoi depërtimin e tyre.
Vëmendja u zhvendos drejt selisë së Partisë Socialiste, e cila u sulmua dy herë. Brenda saj, sipas informacioneve të raportuara, ndodheshin persona të maskuar, disa prej të cilëve dyshohet se mbanin armë të ftohta. Mes tyre është përmendur edhe drejtori i IKMT-së, Rigers Sheqeri, prania e të cilit kërkon sqarim.
Incidente u raportuan edhe në selinë e Partisë Demokratike, ndërsa flakët përfshinë hyrjen e Komisariatit nr. 3. Për herë të parë, protestuesit u mblodhën edhe në Sheshin Skënderbej. Gjatë përplasjeve, policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa nga turma u hodhën gurë dhe molotovë.
Rreth orës 21:00, protesta u mbyll, ndërsa policia nisi shoqërimin e disa personave.
Kjo e diel e gjeti Tiranën të ndarë mes rrugëve të pushtuara nga protestuesit, kordonëve të policisë dhe institucioneve të rrethuara nga forcat e sigurisë. Një protestë që nisi përpara Ministrisë së Arsimit dhe përfundoi duke përshkuar disa prej pikave më të rëndësishme të kryeqytetit, pa një vendqëndrim të vetëm dhe me përplasje që u zhvendosën nga një institucion te tjetri.
Tirana sot nuk ishte e gjitha në protestë. Por protesta ishte pothuajse kudo ku ndodheshin institucionet e pushtetit.






















