Pas pesë ditësh përplasjesh, gazi lotsjellës dhe tensioni në rrugët e kryeqytetit, protesta e kësaj të diele ka nisur paqësisht përpara Ministrisë së Arsimit. Të rinjtë janë rikthyer në rrugë, ndërsa deri në këto momente nuk raportohen incidente.
Në ditën e gjashtë të protestës së nisur nga studentët, të cilëve u janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë, pjesëmarrësit janë grumbulluar me flamuj kombëtarë dhe thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Mes tyre shihen të rinj me dhe pa maska.
Një nga momentet më domethënëse ka qenë veprimi i një protestuesi, i cili, pasi u bëri thirrje të rinjve të mos ushtrojnë dhunë ndaj policisë dhe efektivëve të mos godasin protestuesit, grisi në shenjë revolte certifikatën që kishte marrë si fitues i Olimpiadës së Historisë.
Një gjest simbolik përpara institucionit që dikur e kishte vlerësuar për arritjet e tij, ndërsa sot i riu ndodhet në rrugë duke protestuar kundër qeverisë.






















