Protesta që sot po hyn në ditën e saj të 6-të ka nxjerrë në pah jo vetëm revoltën popullore, por edhe një krizë të thellë përfaqësimi nga ana e opozitës zyrtare.
E paaftë për të ndezur revoltën dhe tërësisht e shkëputur nga përfaqësimi real i atyre që janë në shesh, opozita po përpiqet qartazi të përfitojë nga kjo situatë.
Skenat e ditëve të fundit folën vetë: Edi Paloka u përzu nga sheshi prej vetë protestuesve, Klevis Balliu u detyrua të kalojë përmes Lanës për t’i shpëtuar agresionit të turmës, ndërsa Sali Berisha shfaqet disa herë në ditë në konferenca shtypi për të mbajtur fjalime.
Më shumë nga gjithçka, vëmendjen e ka marrë Jorida Tabaku, e cila shfaqet kudo: te Blloku i Sigurisë, te Spitali, pranë të liruarve dhe pranë të shoqëruarve. Qëllimi i kësaj pranie nuk është mbështetja e popullit, por krijimi i përshtypjes se është pranë tij.
Çdo hyrje në komisariat apo spital shoqërohet nga ekipi i xhirimit që filmon hyrjen dhe pastaj e pret në dalje, ku ajo zhvillon një video-konferencë me veten — ku hera-herës harron dhe qesh fiks në vendin e gabuar.
Kulmi arriti mbrëmë, kur ajo intervistoi me kamerën e saj të pamëshirshme dhe e publikoi në rrjet një të ri minoren, me probleme të dallueshme shëndetësore dhe me vështirësi në artikulim, duke mos kursyer as këtë person me aftësi të kufizuara për përfitimin e famës personale.
Në krahun tjetër, kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, është "zhdukur" tërësisht nga terreni dhe nuk shihet askund në shesh.
Ai po mjaftohet me aktivizmin në rrjete sociale, ku poston çdo ditë për të dënuar sjelljen e policisë.
Kjo përballje mes dy modelesh — prej PR-i shfrytëzues në terren dhe pasiviteti të rehatshëm virtual — ngre pyetjen se cila nga këto dy sjellje është më e pranueshme apo më e dëmshme, një pikëpyetje kjo që u takon vetë demokratëve ta gjykojnë.
Një gjë është e qartë dhe e përbashkët: janë të paftuar!






















