Ka plot 30 vjet që deputeti socialist Erion Braçe nuk lë përvjetor pa postuar dhe shpërndarë në rrjetet e tij sociale fotografinë e tij ikonike, ku shfaqet i gjakosur në fytyrë e me shenja të rënda dhune. Ajo foto i përket 26 majit të vitit 1996, një prej datave më të errëta të pluralizmit shqiptar, kur zgjedhjet parlamentare u manipuluan dhunshëm nga pushteti i asaj kohe.
Braçe u rrah brutalisht nga forcat e rendit dhe SHIK-u gjatë protestave të opozitës së atëhershme kundër dhunimit të votës.
Për dekada me radhë, ai e ka tundur këtë imazh si simbol të qëndresës ndaj dhunës shtetërore dhe si një "krim shtetëror" për të cilin thoshte se ishte kurdoherë gati të dëshmonte.
Por, ironikisht, këtë javë kur Tirana dhe qytete të tjera u përfshinë nga protesta masive që u shoqëruan me një reagim të përgjakshëm nga ana e aparatit shtetëror, Erion Braçe nuk ka bërë asgjë. Ai që dikur ngrinte zërin kundër dhunës mbi protestuesit, sot ka zgjedhur të heshtë përpara skenave të ngjashme që ndodhin nën qeverisjen e forcës së tij politike.
Ai që shpesh mundohet të shitet si "kritiku" i vetëm brenda rreshtave të mazhorancës, në fakt ngel veç te gërr-gërret e vogla, por asnjëherë te thelbi. Ditët e fundit, kur kryeqyteti digjej nga revolta, Braçe nuk ka thënë asnjë fjalë të vetme për përgjegjësitë direkte të kryeministrit Edi Rama në menaxhimin e situatës dhe në dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve.
Në vend që të mbante qëndrim për kaosin në zemër të Tiranës, "rebelit" të gjakosur i ka humbur dëshira për të dëshmuar krimet shtetërore. Përgjatë këtyre ditëve të nxehta, ai është shfaqur me video live në Facebook nga zona krejtësisht të qeta larg qendrës së Tiranës, duke u ankuar për probleme të vogla infrastrukture . Një përpjekje e qartë për të devijuar vëmendjen dhe për të injoruar plotësisht përplasjet dhe gjakun e derdhur në rrugët kryesore të vendit, duke dëshmuar se fotoja e tij e vitit '96 vlen vetëm kur dhunën e ushtron kundërshtari politik.
Braçe nuk kaloi dot kësaj rradhe, as në nivelin e Spiropalit.






















