Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, mbrojti gjatë një konference për mediat përdorimin e forcës nga policia në përplasjet me protestuesit në Tiranë. I pyetur për ndërhyrjet e efektivëve, në një ditë kur mediat raportuan edhe përdorimin e plumbave të gomës, Hita deklaroi se policia ka përdorur mjete të lejuara dhe të certifikuara, në përputhje me ligjin dhe në mënyrë proporcionale me sjelljen e protestuesve.
Por në cilat rrethana lejohet përdorimi i plumbave të gomës dhe a mund të qëllojë policia mbi një turmë protestuesish?
VNA pyeti ekspertë të fushës lidhur me kufijtë ligjorë të përdorimit të këtyre mjeteve. Sipas tyre, plumbat e gomës mund të përdoren vetëm në situata kritike, kur ekziston një kërcënim serioz dhe i menjëhershëm dhe mjetet e tjera të ndërhyrjes janë të pamjaftueshme. Ekspertët theksojnë se policia duhet të identifikojë dhe të shënjestrojë individë konkretë që paraqesin rrezik, dhe jo të qëllojë në mënyrë të padiferencuar mbi turmën. Në të kundërt, një ndërhyrje e tillë konsiderohet përdorim i tepruar i forcës.
Ky qëndrim mbështetet edhe në Udhëzuesin e Kombeve të Bashkuara për Armët Më Pak Vdekjeprurëse në Zbatimin e Ligjit (2020). Në pikat 7.5.2 dhe 7.5.3 përcaktohet se predhat me energji kinetike, ku përfshihen edhe plumbat e gomës, mund të përdoren vetëm ndaj individëve që paraqesin kërcënim të menjëhershëm për lëndim dhe nuk duhet të qëllohen në mënyrë të padiferencuar mbi një turmë. Këto mjete nuk mund të përdoren thjesht për shpërndarjen e protestuesve.
Edhe ligji nr. 82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, në nenin 11, parashikon respektimin e parimit të proporcionalitetit gjatë veprimtarisë policore. Kjo do të thotë se përdorimi i forcës duhet të jetë i domosdoshëm dhe në përpjesëtim me rrezikun konkret, ndërsa sjellja e dhunshme e disa individëve nuk justifikon automatikisht përdorimin e saj ndaj gjithë turmës.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po kryen verifikime lidhur me veprimet e efektivëve gjatë protestave, ndërsa nga organi i akuzës nuk ka pasur ende një reagim publik specifik për përdorimin e plumbave të gomës.
Përtej deklaratës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë se ndërhyrja ka qenë proporcionale, mbetet për t’u sqaruar nëse plumbat e gomës janë përdorur ndaj individëve konkretë që paraqisnin rrezik të menjëhershëm apo për të shpërndarë turmën. Ky është dallimi thelbësor për të përcaktuar nëse veprimet e policisë kanë respektuar ligjin dhe standardet ndërkombëtare të përdorimit të forcës.






















