
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar pas publikimit të pamjeve ku shihet duke përfunduar në Lanë, gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë. Sipas raportimeve të disa mediave, Balliu është shtyrë nga një grup protestuesish, ndërsa vetë deputeti ka dhënë një tjetër version të ngjarjes, duke pretenduar se incidenti ishte pjesë e një skenari të organizuar për ta larguar nga protesta.
I ftuar në emisionin “Top Story” në Top Channel, Balliu deklaroi se personat e përfshirë në incident ishin identifikuar prej tij si pjesëtarë të strukturave operacionale të policisë, të cilët, sipas tij, kishin bashkëpunuar me individë që kundërshtojnë opozitën.
Deputeti tha se ndodhej prej rreth tri orësh në bulevard kur një grup personash iu afrua, fillimisht duke përdorur fëmijë dhe më pas duke qëlluar me gurë. Sipas Balliut, qëllimi ishte krijimi i një situate tensioni që do të çonte në largimin e tij nga protesta.
“Nuk më kanë qëlluar mua, por dy qytetarë të tjerë. Këto skema kanë për qëllim të zhvendosin vëmendjen. Këto skema për të bërë pis protestën nuk kanë asnjë lidhje me qytetarët”, deklaroi Balliu.
Deputeti këmbënguli se incidenti nuk ishte një reagim spontan i protestuesve, por një veprim i organizuar. Megjithatë, ai nuk paraqiti prova publike për të mbështetur akuzat ndaj policisë.






















