Politika 17 October 2026, 09:02 Nga VNA

Rama nuk ua vë veshin protestuesve, sulmon të rinjtë dhe u premton ndihma burokratike bizneseve që i la pa mbrojtjen e policisë

Ndaje në Whatsapp

Rama nuk ua vë veshin protestuesve, sulmon të rinjtë dhe u

Kryeministri Edi Rama duket se nuk ka ndërmend t'i dëgjojë kërkesat e protestuesve. Në vend që t'u përgjigjet shqetësimeve që kanë nxjerrë të rinjtë në rrugë, ai ka zgjedhur sërish të shfaqet nga një biznes i dëmtuar gjatë protestave, për të sulmuar ata që i konsideron përgjegjës dhe për të bërë premtimet e radhës.

Këtë herë, Rama premtoi se qeveria do të rimbursojë bizneset e dëmtuara, duke njoftuar ngritjen e 10 grupeve të Tatimeve për verifikimin e dëmeve në Tiranë. Po ashtu, në platformën e-Albania do të hapet një dritare e posaçme, e quajtur “Dëmi im”, ku pronarët do të duhet të regjistrojnë dëmet dhe të dorëzojnë dokumentacionin përkatës.

Por ndërsa kryeministri premton se do t'i ndihmojë bizneset të rimëkëmben, mbetet pa përgjigje një pyetje shumë më e thjeshtë, përse këto biznese nuk u mbrojtën nga policia në momentin kur po dëmtoheshin?

Në vend të një shpjegimi për përgjegjësinë e institucioneve në garantimin e sigurisë, Rama ofron një tjetër procedurë burokratike. Bizneset që panë pronën e tyre të shkatërrohej, tani duhet të hyjnë në e-Albania, të ngarkojnë fotografi, fatura e dokumente dhe të presin verifikimet e shtetit. Madje, kryeministri paralajmëroi se do të kontrollohet edhe raporti i tyre me Tatimet, përfshirë pagesat dhe detyrimet ndaj shtetit.

Pra, ndërsa shteti nuk arriti t'ua garantonte sigurinë në kohën kur kishin më shumë nevojë, tani do t'u kontrollojë edhe detyrimet përpara se t'u vijë në ndihmë.

Ndërkohë, për të rinjtë që protestojnë, Rama rezervoi të njëjtin mesazh, deklarata respekti për të drejtën e protestës, të shoqëruara me akuza për dhunë, shkatërrim dhe përfshirje të forcave të huaja.

Kryeministri deklaroi se zëri i studentëve do të dëgjohet me respekt, por nuk dha një përgjigje konkrete për kërkesat e tyre e cila është largimi i tij dhe i qeverisë që drejton. Në vend të kësaj, riktheu akuzat ndaj opozitës dhe të ashtuquajturave “duar të huaja”, të cilat, sipas tij, synojnë të pengojnë përparimin e Shqipërisë.

Në fund, Rama e mbylli mesazhin me objektivin e njohur të Shqipërisë në Bashkimin Europian në vitin 2030. Një premtim për të ardhmen, ndërsa pyetjet për atë që po ndodh sot mbeten pa përgjigje.

 

Lexo gjithashtu

Video

Digjet dega e OTP Bank në Myslym Shyr

Protestuesit i vënë flakën Gjykatës së Lartë

Zjarri nga Gjykata e Lartë ka kaluar dhe në një nga dyqanet që është pranë saj në rrugën Myslym Shyri

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme